Kompania e naftës “Albpetrol” pa drejtues, të besuarit të Kokëdhimës i mbaron mandati

kokedhima-endri-puka-e1462024866796Kompania e vetme naftënxjerrëse shtetërore, “Albpetrol” prej 2 ditësh rezulton të jetë pa Administrator. Boldnews.al zbulon se që në datën 30 shtator ka përfunduar mandati i Endri Pukës ndërsa Këshilli Mbikqyrës ende nuk mbajtur mbledhjen për zëvendësimin e tij.

Ai u zgjodh mes polemikash dhe akuzash në krye të “Albpetrol” më 30 shtator 2013 për një mandat 3-vjeçar. Mandati i tij aktualisht ka mbaruar, por në raste të tilla Këshilli Mbikqyrës mblidhet 1 javë përpara rimandatimit ose zgjedhjes së Administratorit të ri shkruan Boldnews.al.

Por Endri Puka është një nga më të besuarit e Koço Kokëdhimës. Më herët, ai ka qenë drejtor i rëndësishëm në grupin e kompanive, përfshi ato mediatike si: gazetat “Shekulli”, “Sporti Shqiptar”, revista “Spektër”, radioja “+2”, televizioni “A1”, të gjitha në pronësi të ish deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Por rizgjedhja e tij në krye të “Albpetrol” duket se do të jetë e vështirë. Kjo pasi ish deputeti i Partisë Socialiste, Kokëdhima është në pikun më të ulët të marrëdhënieve më kryeministrin Edi Rama.

Përplasjet e vazhdueshme Rama-Kokëdhima që kanë nisur që nga heqja e mandatit të deputetit socialist, vijojnë sot e kësaj dite edhe me deklaratat publike në distancë. Sëfundmi, Kokëdhima ka kundërshtuar hapur dhe fort ligjin për importin e mbetjeve të riciklueshme. Ai është shprehur se vendimi i Ramës nuk ka moral politik përpara atyre që e zgjodhën.

Por Kokëdhima ka shfaqur edhe ide “inovatore” që shpeshherë kanë tërbuar kryeministrin Rama. Kështu, ai ka kërkuar liberalizimin e hashashit duke thënë se është e vetmja zgjidhje për të eleminuar kanabizimin e Shqipërisë.

Përveç përplasjeve politike Rama-Kokëdhima, edhe Endri Puka ka probleme me të kaluarën e tij në krye të “Albpetrol”. Ai akuzohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për manipulim me çmimet dhe me cilësinë e naftës, për shkelje me marrëveshjet e nënshkruara duke favorizuar kompani te caktuara private.

Edhe pse fillimisht çështja u mor nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e cili nisi hetimet për grup të strukturuar kriminal brenda “Albpetrol”, më pas organi i akuzës u tërhoq nga kjo akuzë.

Çështja u përcoll në Prokurorinë e Fierit e cila vendosi të pushojë çështjen pavarësisht dëmit financiar të gjetur nga KLSH, prej 9.5 milion eurosh ndaj buxhetit të shtetit.

Ndërkohë në fillim të vitit 2016, u zbulua një tjetër skandal i “Albpetrol” mbi shitjet e sasive të naftës bruto. Sipas një raporti, kompania i ka shitur sasitë e naftës 20% më lirë se çmimi i tregut. Madje rezultoi se “Albpetrol” i shiste fuçitë e saj të naftës 20% më lirë se Bankers Petroleum, kjo e fundit operon me çmimin e bursës ndërkombëtare.

Mbetet për tu parë nëse Endri Puka do të jetë në gjendje për të tejkaluar mbi konfliktin Rama-Kokëdhima dhe mbi një sërë akuzash në të kaluarën, për të marrë një mandat të dytë në krye të “Albpetrol”.

faximile

Source: Vendi Politika