REAGIMI/ Raport sekret për drogën? Tahiri: Spekulim mediatiko-politik

TahiriMinistri i Brendshëm Saimir Tahiri i cilësoi një spekulim madiatiko-politik, atë që gazeta “Shekulli” e Kokëdhimës e publikoi si raport sekret për drogën.

“Policia ka reaguar zyrtarisht, bëhet fjalë për një përpjekje goxha intensive për të përbaltur punën e policisë së shtetit dhe tashmë përveç SHQUP-it, hyjnë dhe segmente të caktuara të medias që kanë edhe guximin të fabrikojnë medemek raporte edhe nga SHISH, herë nga partnerët që nuk ekzistojnë gjëkundi dhe synojnë përbaljen e punonjësve të policisë”, u shpreh ministri.

Duke iu përgjigjur interesit të medias në çelje të muajit kombëtar antitrafik, Tahiri shtoi se lufta e policisë dhe rezultatet janë konkrete. Ai iu referua krahasimit të të dhënave të GdiF italiane, për asgjësimin e kanabisit.

“Nëse në 2013 asgjësohej vetëm 7.5% e drogës së raportuar, sot asgjësohet mbi 99.6 % e saj”, pohoi ministri.

“Nuk do të doja që këtë ditë të veçantë ta shpenzoja me pallavra që është mësuar ky cikël llumi në politikë dhe disa segmente të medias ndaj të gjithë atyre që nuk përputhen me interesat e tyre politike, personale dhe shpesh herë kriminale”, deklaroi kreu i Ministrisë së Brendshme.

Source: Vendi Kronika