BE me dhimbje koke, i trembet këtyre ngjarjeve në Ballkan

Bashkimi Evropian është i shqetësuar për situatën aktuale në Ballkan.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk këtë javë theksoi se tensionet në Ballkan janë jashtë kontrollit, dhe këto të fundit sipas tij po shkaktohen pjesërisht për shkak të ndërhyrjes së faktorëve të huaj të cilët janë duke u përpjekur për të destabilizuar këtë zonë tash e një kohë.

Mediet kroate raportojnë se kjo situatë ka shkaktuar panik në Bashkimin Evropian, pasi ata më në fund e kanë kuptuar se kaosi në Ballkan mund të jetë në rritje.

Mediet kanë evidentuar pesë ngjarjet të cilat do të mund të shkaktonin probleme dhe destabilizim në rajon:

Problemi për krijimin e Qeverisë në Maqedoni

Situata në Maqedoni është mjaft alarmante.

Presidenti Gjorge Ivanov, ka refuzuar t’ia japë mandatin Zoran Zaevit edhe pse ky i fundit ka arritur të sigurojë nënshkrimet e shumicës.

Ai si arsyetim e ka përdorur Platformën Shqiptare, e cila sipas tij e shkelë sovranitetin dhe pavarësinë e Maqedonisë. Shqiptarët në anën tjetër, duan të ndryshojnë kushtetutën për të futur gjuhën shqipe si të dytën zyrtare, dhe duan përfaqësim të barbartë të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Madje LSDM, ka drejtuar akuza te Presidenti se po tenton të bëjë grusht shteti.

Situata e tensionuar në Bosnjë dhe Hercegovinë

 Shteti i Bosnjës ka qenë një ndarje mes dy njësive federale – pjesën kroate të Federatës dhe atë të Republikës së Serbisë.

Udhëheqësi i Republikës së Serbisë, Milorad Dodik rregullisht ka kërcënuar që do të organizojë një referendum për pavarësi, dhe situata duket mjaft e tensionuar.

Kosova e dëshiron Ushtrinë, Serbia kundër

Deputetët e Kosovës kanë miratuar një rezolutë që kërkon lirimin e pakusht të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, e që deri te ky vendim do të ndërpritet edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Përveç kësaj, mosmarrëveshjet kanë lindur pasi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori hapa konkretë dhe vendosi për hartimin e projektligjit që do të transformonte Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

 

Për këtë hap, menjëherë ka reaguar kryeministri i Serbisë, Aleksandr Vuçiç i cili ka thënë se kjo është në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ndërhyrja ruse në Mal të Zi

Shteti i Malit të Zi sipas të gjitha gjasave në muajin maj do të bëhet anëtar i 29-të në NATO. Rusia është e vendosur kundër këtij vendimi, dhe e gjitha kjo ka kulmuar me akuza për orkestrimin e një grusht shteti nga Rusia në Mal të Zi.

Podgorica zyrtare thotë se ata kanë kapur një grup rusësh duke u përpjekur të kryenin një sulm terrorist në ditën e zgjedhjeve, pra më 15 tetor të vitit të kaluar.

Sipas Policisë malazeze gjatë natës së zgjedhjeve ishte planifikuar të kryheshin një serivë veprimesh terroriste, duke sulmuar institucionet, dhe duke mos përjashtuar as rrëmbimin e qëllimshëm të kryeministrit malazez, Milo Gjukanoviç. Kurse këto akuza kategorikisht i ka mohuar Kremlini zyrtar.

Ndikimi i fuqive botërore në ngjarjet e Ballkanit

Duke folur për ndërhyrjen e faktorëve të jashtëm, Donald Tusk ndoshta i është referuar Rusisë, e pse jo edhe Turqisë e cila është politikisht shumë e pranishme në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Për shumë vite pikërisht Bashkimi Evropian ka mbështetur ndikimin e Uashington në Rajon, por pas ardhjes në pushtet të Donald Trumpit kjo ka ndryshuar.

Ministri i jashtëm malazez, Srxhan Darmanoviç ka thënë se qeveria e Malit të Zi nuk ka parë ndonjë kthesë në politikën amerikane në Ballkan, por ai i ka bërë thirrje BE-së dhe NATO-s që të rrisin përpjekjet që të garantojnë siguri dhe stabilitet në rajon.

Source: Rajoni