Tensionohen marrëdhëniet Turqi-Holandë, Erdogan: Do të paguani

Holanda e cilësoi si të papërgjegjshme ministren turke që u përpoq të vizitonte vendin pasi i ishte thënë se nuk ishte e mirëpritur.

Zyrtarët holandezë i konsideruan gjithashtu të papranueshme sulmet verbale nga autoritetet turke, ndërsa po rëndohet më tej marrëdhënia me Ankaranë.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka reaguar pas dëbimit të ministres turke nga Holanda, duke deklaruar se Holanda do të paguajë çmimin për këtë incident diplomatik, ndërsa ka akuzuar Perëndimin për shfaqje të islamofobisë.

“Del një person dhe çfarë thotë? Turqit të lënë këtë vend. Nuk do të ikin. Ata tashmë janë qytetarë të atij vendi dhe nuk do të largohen. Kjo gjë do të zgjerohet dhe do të zhvillohet.

Për këtë veprim do të paguajnë në çdo formë. Na falni por do të paguajnë dhe do të mësojnë se çfarë është diplomacia. Do të mësojnë gjithashtu se çfarë është diplomacia ndërkombëtare. Ngjarjet e ndodhur ditët e fundit janë përfundim i një zhvillimi islamofobik.

Bota perëndimore në ditët e fundit ka treguar hapur fytyrën e saj të vërtetë. Nëse ju sakrifikoni marrëdhëniet turko-holandeze, do të paguani për këtë. Ne do të vlerësojmë hapat që do të hedhim para dhe pas zgjedhjeve të Holandës dhe do të dalim në konkluzionin se si do të veprojmë. Sepse kjo nuk mund të mbetet pa përgjigje”, deklaroi Erdogan.

Erdogan i bëri këto deklarata gjatë një mitingu të mbajtur në Stamboll për çështjen e referendumit për fuqizimin e kompetencave të presidentit turk.

Ministrja turke për Çështjet e Familjes, Fatma Betul Kaya, u dëbua dje nga Holanda dhe kthye mbrapsht në Gjermani nga policia holandeze që i ndaloi asaj mbajtjen e një fjalimi në një tubim në Rotterdam, ku më pas shpërthyen protestat përpara konsullatës së Turqisë.

12 mars 2017 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota