Çfarë ndodhi në drekën e Bashës dhe aleatëve të tij, me ambasadorët?

Në javën e katërt të protestës së opozitës, Lulzim Basha, bashkë me aleatët e tij ka nisur takimet me ambasadorët e vendeve më të rëndësishme të Bashkimti Europian.

Në drekën e punës me 5 prej tyre, Basha ka informuar ambasadorët për arsyet përse opozita nuk e pranon qeverinë e Kryeministrit Rama si garante për zgjedhje të lira e të ndershme. Basha nuk ka dha detaje kur foli për gazetarët pas takimit me ambasadorët.

“Kjo ishte një drekë pune në kuadrin e bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të frytshëm të opozitës së bashkuar me partnerët europianë. Diskutuam zhvillimet politike dhe rrugëdaljen nga kriza politike ku e ka futur vendin pamundësia e zgjedhjeve të lira e të ndershme me një qeveri të bërë njësh me krimin e drogën”, tha kreu i PD.

Burime nga takimi konfirmuan për Top Channel se ambasadorët nuk kanë  shprehur ndonjë qëndrim gjatë drekës, por ata më shumë kanë pyetur krerët e opozitës për qëndrimin rreth zgjedhjeve dhe mundësisë së bojkotimit të tyre.

Të njëjtat burime konfirmojnë se gjatë drekës nuk ka patur surpriza në qëndrimin e opozitës, e cila nuk ka hequr dorë nga kërkesa për krijimin e një qeverie teknike për zgjedhjet. Lulzim Basha e kishte paralajmëruar në takimin e mesditës në çadrën e protestës.

“Vendim për të mos u larguar nga ky shesh, derisa të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që do të thotë domosdoshmërisht dhe pa asnjë kusht, largimin e Edi Ramës si Kryeministër i qeverisë shqiptare”, thotë Basha.

Dita e 24-t e protestës i shërbeu Lulzim Bashës për të shuar zërat për një marrëveshje me Edi Ramën pas ndryshimeve në Qeveri.

“Tani në teorinë e konspiracionit, të shkarkuarit ju kanë thënë disa gazetarëve dje se na shiti Ed Rama ke Lul Basha! Na shiti te Lul Basha, që Lul Basha të ndalë protestën. Kujton se Lul Basha është në gjendje të ndalë këtë protestë? Nuk e kuptojnë që kjo lëvizje nuk ndalet, e nuk do të ndalet derisa republika e vjetër e krimit, e korrupsionit, e drogës, do të bjerë deri në kullën e fundit.  Dy republikat janë dy realitete të papajtueshme me njëra-tjetrën. Duhet të vdesë njëra, që të lindë tjetra”, u shpreh ai.

Source: Vendi Politika