Flet nga spitali Azem Vllasi: Sulmuesi kishte armë me silenciator, ishte i porositur

 Flet për herë të parë avokati kosovar Azem Vllasi,  i  cili mbeti i plagosur nga një atentat ndaj tij.

Ai tha se kishte arritur të vërente se sulmuesi kishte një armë zjarri me silenciator.

Sipas karakteristikave  Vllasise beson se agresori  ishte një atentator i porositur.

“Para orës 8 në mëngjes dikush i ra ziles. Dola. Një person mbante letra në dorë. Tha se kishte një problem pronësor. I thash se këto unë nuk i punoj dhe që të shkojë në rrugën përballë tek një tjetër avokat. A ka ardhur nga Gjermania apo e ka dërguar dikush, nuk e di. Kam hyrë të shkruaj në një copë letër numrin dhe t’ia japë. Kur kam dalë ai më ka sulmuar tek dera me një revole me silenciator, evidente i përgatitur, më ka sulmuar dhe më ka qëlluar në krah e pastaj iku”, ka thënë Vllasi.

Më tej Vllasi shton se nuk ka pasur konflikte me askënd duke shpresuar tek konkluzionet e hetimeve.

“Sipas të gjitha karakteristikave ai ishte një atentator i porositur. Pse dhe nga kush, hetimet do të tregojnë. Në bazë të punës sime profesionale, nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë problem me askë. Familja ime nuk ka problem dhe as kontest me asnjeri. Nuk e di se cka të mendoj dhe nuk dua të hamendësoj. Hetimet do të tregojnë cdo gjë”, tha Azem Vllasi.

Këto komente ai i bëri për Radion Evropa e Lirë pasi gjendja e tij u përmirësua nga sulmi.
Avokati u plagos të hënën në mëngjes, nga një person, për të cilin policia është vënë në ndjekje.
Avokati Vllasi është shtrirë në QKUK në Prishtinë, por mjekët thonë se jeta e tij është jashtë rrezikut.

Source: Rajoni