INTERVISTA/ Gazetari që u kthye nga vdekja: Më morën zvarrë dhe më groposën. Arben Imamin e hodhën të gjakosur te këmbët e mia, tha “do na vrasin”

Në 28 majit të vitit 1996, politikanë, gazetarë vendas dhe të huaj u rrahën barbarisht nga policë civilë të forcave speciale dhe punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar gjatë një proteste në sheshin “Skënderbej”.

Ndër ta ishte dhe gazetari Bardhok Lala, i cili u rrah nga punonjës të SHIK-ut. Gazetari të cilin shumë njerëz e dinë të vdekur, në intervistë për emisionin “Dritare me Rudinën”, tregon ditën e 28 majit ‘96.

Pas 21 vitesh nga ngjarja e rëndë, gazetari asokohe i gazetës “Dita Informacion”, tregon si u dhunua në makinën e kuqe, më pas të zhveshur dhe gati pa jetë, e hodhën në Liqenin Artificial. Ata që e bënë, ishin  4 persona të paidentifikuar dhe të padënuar kurrë.

Sot Bardhok Lala jeton në Lezhë ku punon si ndihmësmjek dhe kujton kohën kur “vdiq” në 1996.

Rudina Xhunga: Bardhok, u takuam rastësisht në këtë kafe, në Shëngjin. Kanë kaluar 21 vjet. Është shumë e çuditshme, por siç e kam lexuar unë, besoj se e ke lexuar edhe ti që gjithandej ngushëllojnë familjen e gazetarit Bardhok Lala çdo 28 maj. Të dinë të vdekur Bardhok.

Bardhok Lala: Po, në 28 maj vdiqa vërtet. M’u pre rruga, nuk bëj më atë, që doja më shumë se gjithçka. Nuk shkruaj më.

Rëndësi ka që nga shëndeti jeni shumë mirë, që ke familje dhe jeton. Mund të tregojmë se ku jeton, punon?

Jetoj në Lezhë. Jam ndihmësmjek.

Bëre ndonjë shkollë më pas?

E kisha bërë më para. Për një periudhë deri në vitin 2003, i ushtrova të dyja. I kisha si vëllezër binjakë.

Kur t’u luta më trego e kishe shumë të vështirë. Edhe unë e kam të vështirë të kthehem pas, por do të kthehemi të dy. Faleminderit që pranove të flasim bashkë.

Faleminderit prej jush, unë të jam borxhli, sepse koleg si ti, që janë vetvetja, kanë mbetur pak në median shqiptare. Është nder për mua të intervistohem nga Rudina, që e kam takuar për herë të parë në ’95.

Në ’95 ishe gazetar i “Kohës sonë”. Korrespondent?

Po, isha korrespondent, mbuloja rrethin e Pukës, Kukës dhe Tropojë. Tani,  për kolegët  e rinj, këto që themi,  mbase  duken përralla fantastiko-shkencore .

Rrethi i Durrësit kishte ngelur zbuluar për shkak të trysnisë së jashtëzakonshme të qeverisë së asaj kohe, që qeveri e  kishte emrin, sepse qeveri, kryeministër e president ishte Sali Berisha. Redaksia e gazetës “Koha jonë” kishte marr zyra me qira në Durrës për të mbuluar rrethin. Unë  punova aty rreth 4-5 muaj. Më pas, një grup gazetarësh kaluam te “Dita Informacion”. Ishte Shpëtim Nazarko, Apollon Baçe, Jakin Marena, Robert Rakipllari, Anila Basha. Isha te “Dita Informacion”, kur ndodhi ngjarja, edhe pse e ngatërrojnë dhe kujtojnë se isha te “Koha Jonë”.

Njëkohësisht, punoja edhe për  gazetën “Populli Po”, me  Ilirjan Zhupën, Taulant Dedjen, Arban Hasanin.

Në atë kohë unë ende nuk kisha bërë 25 vjeç,  bëra një shkrim te “Populli Po”, kundër fajdeve. Ishte zanafillë sepse unë thoja të vërtetën dhe e vërteta kushton edhe unë kushtoj.

Këtë dua të tregojmë,  sepse asnjëherë nuk është sqaruar tamam çfarë ndodhi dhe pse të ndaluan. I fundit që të ka parë në atë kohë ishte Arben Imami në qeli.

Ka qenë një kohë me kaq shumë ngjarje, sa nuk del kurrë koha ta tregosh të gjithën. Dhe të mendosh se e kemi harruar.

Peng në jetën time kam pasur çantën që më është konfiskuar sepse në atë çantë kam pasur shumë dokumente, shumë fotografi. Kam pasur një fotografi që zv.Ministri i Brendshëm i asaj kohe, Agim Shehu, po vendoste pankarta të Partisë Demokratike tek dera e Gjykatës .

Kishte shumë ngjarje. Data 25, ditë e shtunë, data 26 që ishte dita e votimeve, tërheqja e opozitës. Data 27, dita e hënë, në shtypin shqiptar kanë dalë në dy gazeta, “Dita Informacion” dhe gazeta “Albania”. Gazeta “Albania” kryeartikull ka pasur fitoren e PD-së. Ndërkohë gazeta “Dita Informacion” u hap me shkrimin tim, nuk ishte thirrje që bëra unë për të dal në shesh, ishte thirrje e liderëve të opozitës së asaj kohe për të dal në shesh.

Në datën 28 maj, dita e martë, rreth orës 8 të mëngjesit me shumë kolegë bridhnim nga një seli në një seli tjetër politike.

Unë bashkë me Apollon Baçin që ishte kryeredaktor, shkonim në të gjitha selitë, në kërkim të lajmit. Ishte një gjendje tepër e tensionuar, ishte një luftë pa luftë, një luftë pa armë. Më tepër, ishte një luftë nervash.

Seç kisha një parandjenjë. Nuk kisha një parandjenjë të mirë, më vinte era si gjak. Te 15 katëshi, grupi i parë i opozitës, te rruga nga stacioni i trenit për në qendër, grupi i dytë i opozitës, te selia e PS-së ishte mbledhur opozita. Unë isha poshtë shkallëve, ku ka qenë statuja e diktatorit dhe me aparatin në dorë. Pas meje ishte një burrë, te të 65-tat, me mjekër. Unë kujtova se mos ishte oficer i SHIK-ut, sepse e kisha parë pothuaj gjithë javën, aty ku ishim ne gazetarët. Ky i shkreti kishte qenë koleg i joni, por i huaj. Nga isha unë, ishte dhe ai.

Më kujtohet që ndërsa ruhesha prej tij, ka  ndaluar një makinë aty te shkallët ku ka qenë busti i diktatorit dhe jam tërhequr zvarrë nga flokët. Isha vetëm. Në makinë ishte shoferi dhe tjetri në krah, civilë të dy.

Më futën në makinë dhe makina u fut rrugicës nga Banka për të dal te Selia e PS-së dhe për tu kthyer te Drejtoria e Tiranës, që është edhe sot, ka qenë Komisariati numër 2. Makina ndaloi aty dhe shoferi kishte frikë se mos zbrisja, por unë nuk kisha pse zbrisja e nuk kisha pse të kundërshtoja, sepse ligji duhet zbatuar.

Pse ty nuk të ndëshkoi ligji?

Jo, nuk ishte ligji, ishte anti-ligji.

Më çuan në Komisariat, aty më mbajtën çantën dhe më lanë në korridor. Erdhi polici i shkretë, i cili po dridhej nga frika. Në korridor, po rrija në një karrige, nuk kisha çfarë të bëja. Në dy anë, kisha katër biruca majtas e katër djathtas. Po qeshja me veten time, sepse kisha lexuar shumë të tilla nga ish të burgosur politik.

Të dukej çudi, nuk është se e kishe marrë seriozisht?

Jo, nuk e kisha marrë seriozisht.

Ky ishte momenti që takove me Arben Imamin e gjakosur?

Arben Imami, miku im, e kisha njohur më përpara.

Në atë kohë ishte miku yt sepse ishte i Aleancës. Tani që ka kaluar kohë është bërë Ministër i Mbrojtjes i Berishës. E ke takuar më?

Jo, nuk e kam takuar dhe më vjen keq e nuk dua ta takoj sepse nuk mund ta imagjinoj dot Arben Imamin aty.

Që ti e mban mend me gjak në qeli. Si ishte Arben Imami?

Unë nuk kisha shkrepëse dhe kërkoj një të tillë. Polici nuk ma dha në dorë por ma hodhi shkrepësen. Kur po ndizja cigaren, te shkallët shoh katër vet dhe dukej sikur ishte e një trup, po e gjuanin të gjithë si një  thes mielli, e nxorën në kat të dytë. Pas rreth 40 minutash e sollën dhe unë i pashë fytyrat, që ishin të gjithë civilë. E përplasën Arben Imamin te këmbët e mia. Tani mua më kapi frika se thashë, vdiq ky.

E kthej nga përmbys që ishte dhe fytyrën e kishte gjithë gjak, i kishin thyer dhëmbët. E njoha menjëherë. Aty Arben Imami më thotë ‘do na vrasin’. Nxora cigaret dhe i prisha për t’i mbyllur hemorragjitë që kishte dhe i them ‘ do dalim’, më thotë ‘jo, do na vrasin’.

Ti vetë nuk u frikësove në atë moment?

U frikësova. Dëgjoja rënkime, por kur pashë Arben Imamin, i cili ishte themelues i Partisë Demokratike, një figurë tepër e njohur e shumë e dashur, kuptova që nuk ishte e thjeshtë.

Ndërkohë, Arben Imamin ti e le me gjak.

Jo, nuk e lashë unë. Më la ai mua, sepse tek mua nuk kishte filluar akoma. Vjen një oficer policie dhe i thotë Arben Imamit ‘te lutem do dilni jashtë’  dhe i thotë Imami ‘jo, kërkoj letër për keqtrajtim’. Polici  ia kthen ‘të ka keqtrajtuar policia’, pasi Imami ia mohon, oficeri i thotë që nuk mban përgjegjësi. I kërkon të dalë jashtë sepse eurodeputetët dhe vëzhguesit ndërkombëtar po mblidhnin të gjithë të burgosurit që ishin në komisariatet e Tiranës.

Unë i them Arbenit ‘të lutem, tregoju shokëve që jam këtu’. Në atë moment ka ikur Arbeni te 15 katëshi dhe i ka thënë kolegëve që në komisariat është gazetari Bardhok Lala. 20-30 minuta pasi është larguar Arben Imami, mua më nxorën jashtë.

Dola jashtë, më dhanë çantën dhe zbres shkallët, po binte shi. Isha i tronditur dhe nisa të  qaja. Kur isha aty te shkallët takoj një grua e veshur me rroba të zeza e më pyeti se çfarë kam. Unë i them që nuk kam asgjë. Pa mbaruar fjalën,  më ndalon para këmbëve një makinë. I njoha menjeherë katër personat që sollën Arben Imamin. Ata ishin jashtë dhe shoferi ishte brenda.  Nuk ishin policë, as makina nuk ishte e policisë.

Makinën e  kuqe dhe shoferin  me mustaqe, e mbaj mend mirë edhe sot e kësaj dite. Por ato nuk kanë faj, kanë qenë të urdhëruar, nuk e kanë bërë nga koka e tyre.

Ti nuk u more kurrë me ata persona?

Edhe pse e dija se kush ishin, unë nuk u mora kurrë me ata persona, ata unë i kam falur. Përherë më mirë është të falësh sesa të hakmerresh. Ata i kam falur unë, sepse ata kanë qenë punonjës. Askush nuk do merrte guximin të bënte një vepër të tillë, as Kryeminstri i asaj kohe, që ka qenë Aleksandër Meksi.  Ata patën miratimin e Sali Berishës, pa urdhrin e tij nuk është bërë asgjë.

Berisha është ndër mjekët e mirë të Shqipërisë.  Kur pyeta njëherë profesor Rexhep Qosjen;  çfarë është Berisha, ai më tha: Diktatori i fundit i Shqipërisë.

Bardhok, të kthehemi përsëri te ai moment, të cilin ti me të drejtë do ta fshish. Makina e kuqe…

Makina e  kuqe u nis. Me mua brenda. Nuk pyeta ku po shkojmë , sepse nuk më lanë kohë të flisja. Të katërt, përveç shoferit ishin në garë se kush do të më gjuante më shumë. Më njihnin sepse më drejtoheshin me emër. Njëri po më qëllonte shumë me tytë pistoletë dhe qëlloi edhe shokun e vet, pa dashje, sepse në makinë ishte shumë ngushtë. Tre ishin mbrapa dhe një para e të gjithë më gjuanin mua. Dhe u kthyem nga Presidenca, aty thashë se nuk do na linin të kalonim, por aty u hap trau, që  domethënë i njihnin. Ishin njerëzit e Presidentit. Sepse në zyrën e Presidentit, në atë orë, në atë kohë kritike, ishte Presidenti, ishte Sali Berisha. Nuk futej njeri që nuk njihej aty, kollaj. Dhe unë fajtor bëj vetëm atë, Berishën.

Pastaj çfarë kujton tjetër?

Makina kaloi para oborrit të Presidencës, më pas mbrapa dhe shkoi për te Liqeni Artificial. Aty ishte hapur gropa. Derisa shkuam te gropa, më kishin hequr rrobat në makinë, bluzën, këmishën, kanatieren, isha lakuriq, më hoqën pantallonat dhe kisha mbetur vetëm me mbathje. Ata më qëllonin, njëri  më kafshoi në krah, më shkulnin flokët e më gjuanin me tytën e pistoletës.

Nuk i kisha humbur ndjenjat, nuk i shikoja sepse isha me kokë poshtë. Por kjo nuk kishte asgjë të krahasuar me çfarë ndodhi më pas.

Më futën të zhveshur, vetëm me mbathje në gropë. Gropa ishte hapur vetëm për të qëndruar në këmbë. Po binte shi, njëri kishte nxjerrë letrën për të shkruar, tjetri po i mbante çadrën këtij, ndërkohë dy të tjerët më qëllonin me shkopa gome.

Dhe më bënin pyetje. Pyetjet e tyre ishin prej budallai. Më pyesnin a isha agjent serb. Unë nuk di asnjë fjalë në serbisht.

Pyetjet që më pyesnin ‘nga kush financohet “Koha Jonë”, me kë takohet Nikoll Lesi, me kë takohet ky e me kë takohet ai. Pyetje për “Koha Jonë”, që unë kisha kohë që isha larguar e nuk kisha më lidhje. Pyetje kot.

29 shkopinj gome i kam duruar në kokë. Ato i numërova, sepse  shkelmat dhe goditjet me shkopinj gome në trup, ishin aq shumë saqë nuk mund t’i numëroja. Gjithçka mund të ishin këta por oficera të inteligjencës nuk mund t’i quash. Aty ishin gjakatarë.

Më kërkuan edhe të  isha bashkëpunëtor i SHIK-ut. Nuk mbaj mend të kem pranuar ose jo, pasi nuk më kujtohet se çfarë kam thënë. Mu caktua që dy herë të çdo muaj të shkoja në x vend në Tiranë. Pas shkopit të 29, unë nuk mbaj mënd më asgjë. Por mbaj mend që e gjitha kjo zgjati për dy a tre orë, qëndruam gjatë te ajo gropë.

Fakti që nuk të qëlluan me plumb do të thotë që donin të të linin gjallë.

Absolutisht që po, do të shërbeja si shembull e të frikësohej media. Nuk e di çfarë plan kanë pasur. Por këtë bënë.

Në atë gjendje, më hodhën në liqen. Mbaj mend që më hodhën disa metra larg liqenit dhe që aty nuk mbaj mend më gjë. E mbaj mend pak pjesën e liqenit, pasi unë nuk di not.

Atje më kanë gjetur. Rastësisht. Nuk mund të flas për këtë familje, pasi kam frikë për ta e pak rëndësi ka se ku banojnë. Është një nga familjet më të njohura në Tiranë, ndër familjet më të nderuara tiranse. Siç e mora vesh më vonë.

Kanë kaluar 21 vjet dhe nuk kam folur për atë familje dhe nuk do të flas që më kanë shpëtuar. Ata janë një familje e dytë për mua dhe më tepër se familja ime.

Fakti që nuk tregon për familjen që të shpëtoi, tregon që ke frikë akoma?

Po. Nuk kam frikë për veten time, as për familjen time, dy fëmijët e mi, gruan e nënën time. Por për familjen që më shpëtoi, kam frikë prandaj nuk e tregoj. I jam shumë borxh.

Nga kush ke frikë?

Ajo PD që ka qenë, ajo është edhe sot. Është sërish Berisha. Sa të jetë gjallë ai, jo politikisht, por fizikisht, unë do të kem frikë.

 

Çfarë ndodhi me ty më pas? I kalove problemet edhe shëndetësore?

Problemet nuk kishin të mbaruar dhe nuk kanë mbaruar. Pas mjekimit, për të cilin i jam borxh të gjithë mjekëve, të gjithë profesorëve.

Ti u mjekove këtu? Vetëm fizikisht apo pate edhe probleme të shëndetit mendor?

Probleme mendore nuk pata asnjëherë, absolutisht jo. Mos mendoni qe kam fiksime, kur flas pe rate kohe. Jo, jo. Fare.

U mjekove në Shqipëri?

Po, ilegalisht. Nuk kisha besim për të shkuar në spital. Më mjekuan në një shtëpi në Tiranë. Mustafa Xhani më ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme, profesorët Sabit Brokaj, Mentor Petrela dhe Vuksan Kola, po ashtu.

Nuk të çuan jashtë, nuk shkove jashtë?

E para, më konfiskuan çantën ku kisha edhe pasaportën. Më pas, problemi im u ndërkombëtarizua, pati një trysni ndërkombëtare të jashtëzakonshme rasti im. Atëherë, Shoqata e Gazetarëve, me shpenzimet e veta, më dërgoi për mjekim të specializuar jashtë, në Janinë. U mjekova në Spitalin e Janinës për probleme renale, nga goditjet shtazarake që kisha pësuar ne veshka. Më ndihmoi në mënyrë të jashtëzakonshme profesor Neritan Ceka me njohjen që kishte me dekanin e Fakultetit të Mjekësisë së Janinës.

Bardhok, i mban mend një për një emrat e personave që të ndihmuan.

I jam borxhli atyre.

Ndërkohë, njerëzit që e bënë, i ke harruar, je munduar ta kalosh atë kohë, je munduar të shohësh jetën tënde? Sot je ndihmësmjek në Lezhë. Nuk do t’i kthehesh më asaj kohe?

Në kohën që unë isha në spital erdhën disa kolegë tanë që unë nuk po i zë me gojë, për t’i ruajtur ata, pasi janë ende në media. Njëri nga ata më solli gjithë shtypin. Erdhi në datën 18 tetor. Në datën 20 ishin zgjedhjet për pushtetin lokal dhe përveç gazetave të asaj jave me solli edhe një byrek gjirokastrit.

Më erdhën gjithashtu 400-500 fotografi të shumë personave dhe pas dy orësh fotografitë kishin emrat dhe mbiemrat e personave në makinën e kuqe. Pas dy orësh dolën se kush ishin ata. Pra i gjeta personat në fotografi, dihen se kush janë ata. Bëra një deklaratë për shtyp që u botua ku unë i bëja thirrje dhe u bëj edhe sot thirrje, organeve ligjvënëse, ata kanë qenë punonjës që kanë kaluar kompetencat e tyre.

U kapën ndonjëherë ata? U ndaluan, u ndëshkuan?

Jo, jo, asnjëherë. Madje, nuk është batutë, por e vërtetë, kur unë kthehem në Shqipëri pas një viti, isha gazetar dhe po prisja një delegacion në Rinas dhe njëri nga ata kishte filluar punë në Rinas. Ai më ndaloi që të mos futesha brenda mirëpo unë e njoha.

Por ai nuk të njohu, se për të ti ishe i vdekur?!

Jo, nuk më njohu. Nejse, me pak fjalë, unë ata i kam falur, absolutisht, nuk kam asgjë me ta. Nuk kam gjë me ta sepse puna e medias ka qenë e vështirë në atë kohë, ashtu si edhe sot që është e vështirë. Është diçka e shenjtë, unë ata i kam falur. Sa për Berishën, mirë e fala unë, por atë nuk do e falë Zoti. Unë do e fal, unë e kam falur, por atë nuk do e falë Zoti, kurrë.

Berisha foli ndonjëherë për rrahjen tënde? Çfarë tha?

Po, foli, kërkoi ndjesë publike.

Kur?

Në parlamentin e mëvonshëm të ’97-ës. Kërkoi ndjesë për rastin tim, por për hir të politikës. Nuk më intereson ndjesa e tij, mua më fali Zoti.  Dhe më masakroi Berisha. Unë personalisht akuzoj Berishën, pasi askush nuk ka pasur dhe nuk ka guxim të bëjë veprime për të cilat nuk ka dijeni ai. Madje edhe sot.

Ka kaluar kohë, ke falur njerëzit që të rrahën sepse thua që ishin thjesht punëtore, ata janë gjallë dhe tani po të shohin teksa flet për ta. Nuk janë ndëshkuar. Ndërkohë, te duket qe e gjitha kaloi dhe ne jemi në kohë të tjera ?

Jo, jo, është e njëjta kohë, madje edhe më keq. Ju e mbani mend shumë mirë rrahjen barbare që i bënë kryeministrit të sotëm, mbani mend mirë edhe rrahjet e shumë gazetarëve të tjerë. Nga kush? Një është ai, personi, ka emër dhe të gjithë e dimë. Ai është. Para 20 vjetësh ka qenë marsi i ’97-ës. Janë vrarë aq shumë njerëz në ’97, sa nuk janë vrarë për 40 vjet.

Po të shohësh opozitën, me të drejtë proteston se ka të drejtën e protestës. Nga televizori kam parë shumë persona tek çadra, vëllezërit ose baballarët e të cilëve kanë qenë para 20 vjetësh në Gardën nr. 2. Dihet kush ka qenë Garda nr. 2.  Domethënë baballarët e atyre djemve te çadra para 20 vjetësh kanë qenë tek Garda nr. 2, ku ka qenë Sokol Mulosmani nëse nuk gabohem.

E ke parë ndonjëherë Berishën nga afër? Je ndeshur ndonjëherë t’i thuash, unë jam ai gazetari?

Jo. Kur u ktheva ’96 i shkova në konferencë shtypi, siç duket i thanë miqtë…

E mbyllim pa Berishën.  A dëshiron të më thuash ndonjë gjë në fund të kësaj interviste?

Kam shumë gjëra për të thënë, por në radhë të parë, i uroj të gjithë ish kolegëve të mi, se tani unë në këtë zanat jam pensionist pa pension, çdo të mirë në familjet e tyre dhe sa më të ndershëm në profesionin e vështirë të gazetarit. Dua që edhe pas 15 vjetësh, të shohim njëri-tjetrin në sy, të gjithë. Do rikthehem, do rikthehem një ditë!

Source: Vendi Kronika