Si të bëni aromatizues natyral për shtëpinë

Ndonjëherë për të parfumosur shtëpinë, shpenzohen shumë para për blerjen e produkteve ku në të shumtën e rasteve nuk janë me bazë natyrale edhe pse aromën e kanë shumë të këndshme. Ndoshta nuk ju ka shkuar kurrë në mendje, por është e mundur që të realizohen në shtëpi dhe në mënyrë të thjeshtë duke përdorur shkopinj, lëkurë agrumesh, bimë me aromë të mirë, erëza, e të tjera.

Është e vërtetë se nuk duhet hedhur kurrë asgjë, edhe lëkurat e agrumeve, të cilat mund të jenë të dobishme për të krijuar aroma të këndshme dhe natyrale. Gjithashtu mund të përdoren gjethet e bimëve me aromë të mirë. Kombinimi i të  gjitha këtyre përbërësve, uji, alkooli dhe vajrat e tjerë esencialë, mund të bëjnë që shtëpia juaj të mbajë erë të mirë. Ne do të ju tregojmë se si ta realizoni aromatizuesin e shtëpisë.

Materialet që ju duhen:

  • enë qelqi, për shembull një kavanoz të vogël ose një shishe
  • shkopinj druri (si ato që përdorim për të bërë shishqebap)
  • alkool (1/4 filxhanit)
  • ujë (3/4 filxhan)
  • 20 pika vaj esencial dhe këtë mund ta zgjidhni sipas shijes
  • lëkura limoni, portokalli, mandarine apo grejpfruti
  • bimë apo erëza të freskëta (të tilla si borzilok, rozmarinë, kanellë, karafil, nenexhik)

Instruksionet

Zgjidhni një enë qelqi me një grykë jo shumë të gjerë për të zvogëluar avullimin e lëngut që ndodhet brenda, por që njëkohësisht ajri i dhomës suaj do të jetë  i këndshëm, me një aromë mjaft natyrale. Gryka jo shumë e gjerë e enës së qelqit do të bëjë që lëngu të zgjasë më shumë.  Vendosni brenda enës së qelqit copat e bimës aromatizuese, shtoni ujë dhe alkool.

Më pas hidhni disa pika të vajit esencial. Pozicionojeni enën e qelqit aty ku ju keni më shumë nevojë dhe më pas fusni brenda shkopinjtë e drurit dhe shtëpia juaj do të mbajë një aromë shumë të këndshme. Pas 30 ditësh është mirë që ju ta pastroni enën sepse krijohen kërpudha brenda saj dhe mjafton që të përgatisni një tjetër.

Përktheu: Silvana Muça

9 maj 2017 (gazeta-Shqip.com)

Source: Ndryshe