Koreja e Veriut kërcënon Trump: Dhimbje të mëdha nëse ka sanksione

SHBA-të do ta paguajnë “çmimin e nevojshëm” dhe do të ndiejnë “dhimbjet më të mëdha e vuajtjet më të forta” nëse do të vendosin sanksione të reja dhe të rënda. Është kjo deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme të Koresë së Veriut.

Sipas burimeve diplomatike, SHBA-të do të heqin nga drafti kërkesën për të ndëshkuar Phenianin me një embargo për bllokimin e eksportit të naftës. Zgjidhja “ e zbutur” për të marrë mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, do të votohet nga Këshilli i Sigurimit në OKB.

Në një komunikatë të publikuar edhe nga agjencia zyrtare e lajmeve Kcna, ministri i Jashtëm koreano-verior, paralajmëron që nëse Uashingtoni “do të hedhë në fushë këtë ’zgjidhje’ të paligjshme mbi një ashpërsim të sanksioneve, Koreja e Veriut do të gjejë mënyrën për të qenë absolutisht e sigurt që SHBA-të të paguajnë çmimin”. “Masat që do të merren, – vijon, – do t’i shkaktojnë SHBA-ve vuajtjen dhe dhimbjen më të madhe që mund të ketë provuar ndonjëherë në historinë e saj”.

Pheniani ka testuar në 3 shtator një bombë bërthamore, – sipas saj një bombë me hidrogjen – pasi më herët në mes të gushtit kishte lëshuar një raketë balistike që kishte kaluar mbi Japoni para se të përplasej në ujërat e Paqësorit. Sipas ekspertëve të ndryshëm, shteti komunist është duke përgatitur një test të ri për lëshimin e një rakete balistike.

11 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota