Rusi, aktivisti Udaltsov arrestohet derisa protestonte në Moskë

Aktivisti opozitar rus, Sergei Udaltsov, është arrestuar sot në Moskë derisa protestonte para Dumës ruse, që është Dhoma e ulët e parlamentit.

Bashkëshortja e Udaltsovit, Anastasia Udaltsova, ka shkruar në rrjetin Twitter se Sergei ishte marrë në një stacion të policisë.

Udaltsov dhe aktivisti tjetër, Aleksei Vorontsov, ishin duke demonstruar afër Dumës ruse, duke kërkuar amnisti për të burgosurit në gjithë Rusinë, lidhur me 100 vjetorin e Revolucionit të Tetorit, që i solli bolshevikët në pushtet në vitin 1917.

Udaltsov është liruar nga burgu më 8 gusht, pasi i ka kaluar 4,5 vjet burg, për shkak të rolit të tij në organizimin e protestës në maj të vitit 2012, kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, dhe qeverisë së tij në Sheshin Bolotnaja në Moskë.

Në korrik të vitit 2014, Udaltsov ishte dënuar për organizim të “çrregullimit masiv” lidhur me këtë protestë, që shpërtheu në dhunë, ndërsa demonstruesit dhe policia kanë bërë akuza reciproke për fajësi.

13 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota