Terrorizmi, Macron: Duhet një ushtri e përbashkët në BE

“Kriza e emigrantëve është një kriza që mund të zgjasë. Nëse do të lëmë të vetëm partnerët tanë, pa i ndihmuar të mbrojnë kufijtë dhe nëse jemi të paaftë të organizojmë riatdhesimin e emigrantëve pa të drejtë azili, do të na mungojë humaniteti”. Kështu është shprehur presidenti francez Emmanuel Macron gjatë diskutimit të tij mbi Europën në Sorbona.

“E ardhmja jonë është e lidhur me atë të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës, – vazhdon kreu i Elizesë. – Duhet të integrojmë realisht dhe të presim ata njerëz që kanë të drejtë për azil”.

Presidenti francez i bëri thirrje Bashkimit Europian për krijimin e një force ushtarake mbrojtëse, si pjesë e vizionit të tij për të ardhmen e bllokut.

Duke paraqitur një seri reformash, Emmanuel Macron propozoi gjithashtu bashkëpunim më të madh në fushat e sigurisë dhe luftës kundër terrorizmit.

deja e ushtrisë së përbashkët europiane nuk është asgjë e re dhe diskutohet prej kohësh, por nga Universiteti i Sorbonës, Macron nguli këmbë fort në këtë temë dhe tha se dëshiron që Bashkimi Europian të përmirësojë sistemet e përbashkëta mbrojtëse, e të ketë një forcë të përbashkët ushtarake me aftësi autonome për t’u hedhur në veprim.

“Europa që ne njohim është tepër e dobët, tepër e ngadaltë dhe shumë jo efikase. Por vetëm Europa mund të na japë mjete për të vepruar në skenën botërore, ndërsa përballemi me sfidat e ditës”, deklaroi Macron

Pak ditë pas zgjedhjeve në Gjermani, Macron ka folur edhe për arritjen e papritur të AfD-së, duke thënë se “nacionalizmat shfrytëzojnë me cinizëm frikën e popujve”. “Për shumë kohë kemi menduar se e shkuara nuk mund të përsëritet asnjëherë. Por Europa është këtu dhe me sa duket, kemi humbur logjikën”, – tha presidenti francez.

26 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota