Maltë, tre të akuzuar për vrasjen e gazetares Daphne Galizia

Autoritetet gjyqësore të Maltës kanë paditur tre persona për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.

Të akuzuarit nuk i kanë pranua akuzat pasi janë arrestuar ditën e hënë së bashku me shtatë persona të tjerë.

Bëhet fjalë për vëllezërit Alfred dhe George Degiorgio dhe Vince Muscat, të njohur në ambientet e krimit të organizuar në vend dhe të njohur nga policia.

Gazetarja Caruana Galizia u vra më 16 tetor me një autobombë fare pranë shtëpisë së saj. 53-vjeçarja njihej për hetimet e saj therëse kundër korrupsionit në nivel të lartë dhe krimit të organizuar. Madje, ajo me artikujt e saj shkaktoi edhe rrëzimin e qeverisë së shkuar në Maltë. Pas kritikave nga BE për ngurrim në luftën ndaj krimit, të hënën autoritetet maleteze arrestuan 10 persona në lidhje me vrasjen dhe tre të akuzuarit ishin mes tyre.

Por, ndërsa dyshohet se gazetarja u vra për shkak të punës dhe artikujve demaskues, miq të saj thanë se ajo nuk kishte hetuar dhe as shkruar kurrë për tre të akuzuarit. Analistët mendojnë se tre të paditurit, nëse janë fajtorë, mund të jenë punësuar për vrasjen e saj, diçka që tregon se komploti kundër gazetares shkon shumë më lart, pikërisht atje ku ajo sulmonte me investigimet e saj.

6 dhjetor 2017 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota