Përplasjet Gjermani-Turqi, ministrat e jashtëm zotohen për t’i dhënë fund

Ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel ka zhvilluar bisedime me homologun e tij turk Mevlut Cavusoglu, në një përpjekje për të “kapërcyer vështirësitë” dhe për të përmirësuar marrëdhëniet midis kombeve.

Gabriel tha se “bisedimet e hapura” me Cavusoglu “u mbajtën në respekt të ndërsjelltë”, pavarësisht nga dallimet e tyre.

Marrëdhëniet ndërmjet aleatëve të NATO-s dhe partnerëve tregtarë u përkeqësuan pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në vitin 2016.

Bisedimet me Gjermaninë erdhën një ditë pasi presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan u takua me Emmanuel Macron të Francës.

Gabriel priti Cavusoglun në shtëpinë e tij në qytetin qendror gjerman të Goslar.

Ai tha se të dy i kishin “vendosur vetes detyrë për të bërë gjithçka për kapërcimin e vështirësive në marrëdhëniet gjermano-turke”.

Dyshja pranoi dallimet midis tyre, duke përfshirë kundërshtimin e Gjermanisë ndaj Turqisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gjermania po kërkon gjithashtu lirimin e gazetarit Deniz Yucel, i mbajtur në një burg turk për 10 muaj.

Gabriel tha pas bisedimeve se “ka ardhur koha për të gjetur terren më të përbashkët në të ardhmen duke kujtuar gjithçka që na lidh”. Gjermania është tregu më i madh i eksportit të Turqisë dhe ka diasporën më të madhe turke në botë.

Marrëdhëniet e Turqisë me partnerët e saj evropianë kanë qenë të ftohta për një kohë dhe me Gjermaninë në veçanti.

Marrëdhëniet filluan të ftohen në mars 2016 pasi Presidenti Erdogan paraqiti një ankesë penale kundër një kronike televizive gjermane, që paraqiste atë që u quajt poezi e turpshme rreth liderit turk.

6 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota