Trump: Nuk ka gjasa që të merrem në pyetje nga Mueller

Presidenti amerikan Donald Trump tha se “nuk duket të ketë gjasa” që ai të intervistohet nga prokurori i posaçëm Robert Mueller lidhur me hetimin që po bëhet ndaj akuzave se fushata presidenciale e tij është bërë në bashkëpunim të fshehtë me Rusinë.

Sipas disa njoftimeve, Mueller u ka thënë avokatëve të Presidentit Trump se ekipi i tij do të donte ta intervistonte presidentin si pjesë e hetimit.

Trump e ka quajtur hetimin një “manovër të demokratëve”.

“Meqë nuk ka patur ndonjë bashkëpunim të fshehtë dhe askush nuk ka gjetur diçka të tillë, duket se nuk ka fare gjasa për t’u intervistuar”, është shprehur ai.

Trump i bëri komentet të mërkurën në një konferencë shtypi, pas një takimi me kryeministren norvegjeze Erna Solberg.

Deri tani, hetimi ka rezultuar në një padi ndaj ish-drejtuesit të fushatës së Trump, Paul Manafort dhe një pranim fajësie nga ish-këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Flynn.

Po dje, Presidenti Trump e quajti hetimin “gjuetia më e madhe e shtrigave në historinë amerikane”.

Trump sulmoi gjithashtu ashpër Senatoren Demokrate të Kalifornisë, Dianne Feinstein, e cila publikoi të martën tekstin e një interviste që dha në senat në muajin gusht kreu i kompanisë Fusion GPS, Glenn Simpson.

Fjala është për kompaninë e cila hartoi dosjen që përmbante aludime për një bashkëpunim të fshehtë mes fushatës presidenciale të zotit Trump dhe Rusisë.

Firma e Simpson punësoi ish-agjentin britanik Christopher Steele, për hartimin e dosjes. Kërkimet për dosjen u financuan nga demokratët, duke përfshirë fushatën e rivales së Trump në zgjedhje, Hillary Clinton.

Trump ngul këmbë se hetimet rreth një bashkëpunimi të fshehtë me Rusinë janë një justifikim i demokratëve për të shpjeguar fitoren e tij ndaj zonjës Clinton.

11 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota