Rusi, Lavrov: Amerika po ‘destabilizon’ botën

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po destabilizojnë botën, duke vendosu theksin tek një listë ankesash mbi politikën e jashtme të administratës Trump.

Lavrov  në konferencën hapëse të shtypit për 2018 hodhi akuza të forta në drejtim të SHBA-ve, të cilat pritet të vendosin së shpejti sanksione të reja kundër Rusisë lidhur me ndërhyrjen e saj në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA.

Lavrov kritikoi SHBA për lëshimin e “kërcënimeve” të rregullta në lidhje me ngjarjet në Korenë e Veriut dhe Iran, duke thënë se ata po “destabilizojnë më tej” situatën globale.

Ai nuk përmendi Presidentin Donald Trump me emër, por Presidenti amerikan ka lëshuar kërcënime të ashpra ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit, duke sulmuar udhëheqjen në të dy vendet.

Trump ka sulmuar udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në Tëitter mbi testin e raketave dhe kohët e fundit ka kritikuar udhëheqjen iraniane si represive, “brutale dhe të korruptuar”.

Lavrov akuzoi SHBA-të se po provokojnë tensione në gadishullin Korean.

“Shtetet e Bashkuara mjaft qartë thonë se konfrontimi ushtarak është i pashmangshëm, megjithatë, të gjithë i kuptojnë pasojat katastrofike të këtij neglizhimi”, tha ai për CNN.

Ai gjithashtu kritikoi SHBA për zgjerimin e ushtrimeve të saj ushtarake rreth Koresë së Veriut, “e cila provokoi një përshkallëzim të ri të tensioneve”, ndërsa të tjerët po punonin përmes bisedimeve diplomatike me Phenianin.

Lavrov paralajmëroi SHBA-të të mos tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin.

“Është e trishtueshme që Shtetet e Bashkuara edhe një herë të japin një arsye për të dyshuar në aftësinë e tyre për të qenë partnerë të besueshëm të marrëveshjes”, tha ai.

Lavrov qeshi kur CNN e pyeti nëse i vjen keq për ngjitjen e Trump në presidencë, duke marrë parasysh rrëmujën diplomatike dhe nëse ai tani do të preferonte që Hillari Klinton të kishte fituar zgjedhjet.

“Kjo nuk është ajo që diplomatët bëjnë – më vjen keq për diçka që ka ndodhur. Ne punojmë me fakte dhe faktet janë ato që kemi sot, kështu që ne vetëm bëjmë atë që duhet të bëjmë për të avancuar interesat e Rusisë në rrethanat e tanishme”, u përgjigj ai.

15 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota