Avioni në Rusi, hetuesit: Shpërtheu kur ra në tokë

Avioni “Antonov AN-148”, i cili u rrëzua të dielën pranë Moskës, nuk ka shpërthyer në ajër, por vetëm në momentin kur ka preku tokën.

Ky është përfundimi i hetuesve, të cilët po punojnë për të zbardhur arsyet e tragjedisë.

“Është verifikuar që avioni ishte akoma në fluturim në momentin e zbritjes së tij dhe nuk është vërejtur asnjë shenjë zjarri: shpërthimi ka ndodhur kur avioni ka prekur tokën”.

71 personat që ishin në bordin e avionit të kompanisë “Saratov Airlines” humbën jetën kur mjeti fluturues u rrëzua pak minuta pas ngritjes në fluturim nga Aeroporti “Domodedovo”.

Zyrtarë rusë thanë për mediet se po shqyrtojnë ndikimin e kushteve meteorologjike, një gabimi njerëzor apo defekte teknike, mes shkaqeve të mundshme. Terrorizmi nuk është konsideruar mes tyre.

Avioni i modelit “Antonov AN148” po udhëtonte drejt Orkust në malet urale. Ai u rrëzua në afërsi të fshatit Argunovo, rreth 80 km në juglindje të Moskës.

Mësohet se ekipet e emergjencave u detyruan që të braktisin makinat në rugë për shkak të borës dhe të shkonin në këmbë deri në zonën e rrëzimit të avionit.

Mister është fakti që avioni nuk bëri asnjë thirrje për ndihmë, apo për ndonjë problem në bord. Një prej kutive të zeza të avionit është gjetur dhe zyrtarët presin që të dhënat e saj të hedhin dritë mbi ngjarjen.

12 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota