Izrael, kryeministri Netanjahu hedh poshtë akuzat për korrupsion

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka folur në një televizion lidhur me pretendimet se ai do të akuzohet për korrupsion nga policia.

Netanjahu i ka quajtur akuzat “të pabaza” dhe u zotua të vazhdojë si udhëheqës. Ai shprehu sigurinë se e vërteta do të zbulohet.

Komentet e tij pasojnë një deklaratë të policisë që tha se kishte prova të mjaftueshme për ta paditur atë për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në dy raste të veçanta.

Sipas Netanjahut akuzat “do të përfundojnë me asgjë”. “Unë do të vazhdoj ta udhëheq Izraelin me përgjegjësi dhe besnikëri për sa kohë që ju, qytetarët e Izraelit, më zgjidhni që t’ju udhëheq”, tha ai pasi u publikua lajmi për akuzat.

“Unë jam i sigurt se në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen në kohë, unë do të fitoj besimin tuaj përsëri, me ndihmën e Perëndisë”, tha ai.

68-vjeçari po gëzon mandatin e tij të dytë si kryeministër dhe ka shërbyer në këtë rol për një total prej 12 vjetësh.

Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm do t’i duhen disa muaj për të vendosur nëse Netanjahu duhet të përballet me akuza.

“Gjatë viteve, unë kam qenë objekt i të paktën 15 hetimeve dhe investigimeve,” tha ai në fjalimin e tij televiziv.

“Disa kanë përfunduar me rekomandime të ashpra të policisë si ato sot. Të gjitha këto përpjekje nuk kanë rezultuar me asgjë, dhe këtë herë përsëri do të jenë asgjë”.

14 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota