Macron: Godasim Sirinë nëse provohet përdorimi i armëve kimike

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërcënuar se do të “godasë” Sirinë nëse provohet se qeveria e saj po përdor armë kimike kundër civilëve.

“Ne do të godasim vendin ku këto nisje janë bërë ose ku ato janë të organizuara”, u tha ai gazetarëve.

Por zoti Macron tha se inteligjenca franceze deri tani nuk ka gjetur prova se armët kimike të ndaluara janë përdorur.

Komentet e tij pasojnë raporte të shumta për sulmet e dyshuara të klorit dhe gazit sarin në Siri që nga fillimi i janarit. Nëntë vetë u trajtuan për vështirësi në frymëmarrje pasi një bombë që besohet të jetë e mbushur me lëndë kimike, u hodh në një qytet të kontrolluar nga rebelët këtë muaj.

Opozita siriane tha se një helikopter qeveritar hodhi bombën në Saraqeb, në provincën veriperëndimore të Idlibit. Qeveria siriane mohon fuqimisht përdorimin e armëve kimike dhe thotë se nuk synon civilët.

Ndërkohë duke folur në Paris të martën, Macron ripohoi qëndrimin e tij se përdorimi i armëve kimike përfaqësonte një “vijë të kuqe” për qeverinë e tij.

“Sot, agjencitë tona, forcat tona të armatosura, nuk kanë vendosur që armët kimike, siç përcaktohen në traktate, janë përdorur kundër popullatës civile”, tha ai.

“Sapo të vërtetohet një provë e tillë, unë do të bëj atë që kam thënë. Prioritet është lufta kundër terroristëve”.

Vitin e kaluar, Macron i tha presidentit rus Vladimir Putin se përdorimi i armëve kimike në Siri do të ishte një “vijë e kuqe” që do të sillte një “përgjigje të menjëhershme” nga Franca.

Në një telefonatë me Putin të premten, Macron shprehu shqetësime rreth “treguesve që sugjeronin përdorimin e mundshëm të klorit” kundër civilëve në javët e fundit, tha zyra e tij.

Pas një sulmi vdekjeprurës të armëve kimike pranë Damaskut në vitin 2013, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord për një plan me Sirinë për të hequr dhe shkatërruar rezervat e armëve kimike brenda një viti.

Por Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË) ka vazhduar të dokumentojë përdorimin e kimikateve toksike në vend. Në prill të vitit 2017, një sulm në qytetin e mbajtur nga rebelët e Khan Sheikhoun la qindra njerëz që të vuanin nga simptomat në përputhje me përdorimin e një agjenti nervor.

Dëshmitarët thanë se panë avionët që sulmuan qytetin dhe pamjet tronditëse treguan viktima – shumë prej të cilëve fëmijë – duke u shkumëzuar në gojë. Më shumë se 80 vetë u vranë aty. Presidenti sirian Bashar al-Assad dhe aleati i tij Rusia kanë thënë në mënyrë të përsëritur se incidenti ishte i fabrikuar.

14 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota