Gjermani, protesta kundër çmimeve të larta të pasurive të paluajtshme

Berlini po shënon rritjet më të larta të çmimeve të pasurive të paluajtshme në botë, thuhet në një raport të botuar këtë javë. Sipas një studimi të botuar të enjten (12.04) nga firma për pasuritë e paluajtshme Knight Frank vetëm në vitin 2017 çmimet në Berlin u rritën me 20.5 për qind.

“Indeksi i qyteteve rezidenciale globale” të kësaj firme tregon se ndërsa vitet e fundit në mbarë botën çmimet e banesave ranë, Berlini është një nga vetëm 12 qytetet që kishin një rritje të çmimeve prej mbi 20 për qind në vitin 2016.

Protesta ndaj rritjes së kostove të strehimit

Prandaj mijëra njerëz protestuan në kryeqytetin gjerman ndaj rritjes së kostove të strehimit dhe gentrifikimit të shfrenuar të lagjeve të qytetit. Gentrifikimi është procesi i modernizimit të lagjeve tradicionale që shoqërohet edhe me ngritjen e çmimeve të qirave, gjë që i bën shumë prej banorëve tradicionalë që të largohen nga këto lagje, sepse nuk janë në gjendje t’i paguajnë ato.

Që nga viti 2004 çmimet në përgjithësi janë rritur me 120 për qind për shkak se papunësia e ulët dhe investimet e huaja i kanë dhënë nxitje qytetit. Megjithatë Banka Federale e Gjermanisë mendon se në Berlin vlerat e pronave janë mbivlerësuar me rreth 35 për qind. Nga 1.9 milion shtëpive me qira të përballueshme që mungojnë në Gjermani, 310.000 janë në Berlin.

15 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota