Përse nuk mund ta lemë dot cigare?

Artistë joshës si Marlon Brando dhe Xhejms Din mbanin si rastësisht në cep të buzës një cigare, kjo i bëri ata të ishin personifikimi i rebelimit dhe reklamimit të cigares.

Në vitet ‘70 shkëlqimi i cigares humbi dhe filloi të shihej me syrin e dëmeve shëndetësore që shkaktonte, por përdorimi i saj nuk ndaloi. Historia e të tymosurit e ka zanafillën rreth 5000 vjet para Krishtit në ritet e lashta fetare. Civilizimet e hershme si babilonasit, indianët dhe kinezët digjnin temjan si pjesë e ritualeve fetare, ashtu si izraelitët dhe kisha katolike dhe ortodokse më vonë. Në këto kohë, djegia e temjanit, konsumimi i duhanit dhe drogave haluçinante bëhej për të arritur gjendjen transit dhe si një mënyrë për të komunikuar me botën shpirtërore. Substanca si kanabisi, lëkura e tharë e gjarprit dhe të brendshmet e peshkut përdoreshin 2000 vjet më përpara se gjethja e duhanit.

Tymosja ka qenë një karakteristikë e Lindjes së Mesme dhe shoqërive myslimane, që ngadalë u kthye në një kulturë të pashmangshme botërore. Shumë shekuj më pas, eksploruesit dhe kolonizatorët europianë raportonin se priftërinjtë vendas të Amerikës tymosnin substanca të ndryshme në ritualet e tyre. Legjenda Ekziston një histori se shumë kohë më parë, një zotëri ishte në studion e tij duke pirë një cigare dhe duke menduar në lidhje me problemet që kishte. Tepër i shqetësuar, ai i tha vetes që nuk mund të mendonte asgjë dhe se ajo gjë për të cilën kishte nevojë në atë çast ishte pikërisht një dush i ftohtë.

Rastisi që aty pranë të kalonte shërbëtorja e tij. Ajo vërejti që zotërisë së saj po i dilte tym nga kolltuku i kthyer për nga dritarja. Kështu shërbëtorja vrapoi menjëherë dhe mori një kovë me ujë të ftohtë për të shuar zjarrin. Përfundimi? Zotëria e mori dushin e ftohtë të cilin e mendoi pak më parë, ndërsa shërbëtorja mësoi se nuk kishte rënë zjarr, por i zoti i shtëpisë kishte blerë një produkt të ri të quajtur “cigare”.

Përhapja Cigarja e mirëfilltë u shfaq diku nga shekulli i nëntë në Amerikën Qendrore në formën e pipave dhe tubave të tymosjes. Majat dhe më vonë aztekët e konsumonin cigaren dhe droga të tjera si pjesë e ritualeve fetare dhe si ceremoni të hyjnive në tempuj. Amerikanët jugorë dhe qendrorë përdornin bimë të ndryshme për tymosje. Kur duhani arriti në Spanjë, ai ishte perfeksionuar edhe më shumë përmes mbështjellësve me përmbajtje misri. Produkti përfundimtar u quajt në atë kohë papelate dhe është i dokumentuar në piktura të ndryshme të piktorit të famshëm Françesko Goja (Francisco Goya). Në vitin 1830, cigarja kapërceu në Francë, ku mori emrin cigarette. Pesëmbëdhjetë vjet më pas, monopoli i duhanit të shtetit francez filloi prodhimin e cigareve. Makineria e bërjes së cigareve u shpik në 1880 nga Xhejms Albert Bonsak, gjë që e rriti prodhimin ditor të cigareve nga 40 mijë në 4 milionë.

Përhapja e konsumit të cigareve në botën perëndimore është një fenomen që ndodhi në masë në shekullin njëzet. Doktorët gjermanë ishin të parët që bënë lidhjen midis duhanpirjes dhe kancerit të mushkërisë, që çoi në krijimin e lëvizjes së parë kundër duhanpirjes në Gjermaninë Naziste. Gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, cigaret ishin të racionuara për ushtarët njëlloj si pjesa tjetër e furnizimeve. Edhe në luftën e Vietnamit, cigaret përfshiheshin në vakte. Kjo praktikë amerikane ndaloi në vitin 1975. Cigarja moderne Cigaret moderne u prodhuan pas viteve ‘50 dhe janë të përbëra nga gjethja e copëtuar e duhanit dhe produkte të tjera të përziera. Prodhimi i cigares është i ndarë nga katër pjesë: filtri që ka acetat celuloze, letra që mbulon filtrin, duhani dhe letra që e mbulon atë. Në vitet e fundit, prodhuesit në kërkim të maksimizimit të përfitimeve kanë ndërmarrë praktikën e përdorimit jo vetëm të gjetheve, por edhe të mbetjeve të ricikluara të duhanit. Fakte

Sipas statistikave, 80 për qind e duhanpirësve jetojnë në vende me të ardhura të mesme ose të ulëta. Të gjitha cigaret që janë konsumuar për vitin 2011, mendohet t’u kenë kushtuar njerëzve 8.37 miliardë dollarë. Përllogaritet se 19 për qind e të gjithë të rriturve konsumojnë duhan. 21.6 për qind e të gjithë meshkujve dhe 16.5 për qind e femrave pinë cigare. 69 për qind e konsumuesve të duhanit duan të heqin përfundimisht dorë prej tij. Australia është kontinenti që ka ligjet më të ashpra ndaj duhanit. Të rinjtë dhe duhani Çdo ditë, rreth 4000 persona që nuk kanë mbushur akoma 18 vjeç, provojnë cigaren e tyre të parë.

Po ashtu çdo ditë, 1000 të rinj poshtë moshës 18 vjeç bëhen duhanpirës të rregullt. Mosha e lejuar për konsumin e cigares është përgjithësisht 18, por shtete si Alabama, Alaska, Nju Xhersi dhe Kanadaja e kanë rritur këtë moshë me një vit. Në vende si Maqedonia, Malta, Italia, Austria, Luksemburgu, Belgjika dhe Norvegjia është e ligjshme shitja e cigareve për moshën 16 vjeç. Duhani dhe psikologjia Shumica e duhanpirësve e fillojnë këtë praktikë gjatë adoleshencës ose pjekurisë së hershme.

Pirja e duhanit lidhet me elementë të ndërmarrjes së rrezikut dhe rebelimit, që zakonisht shfaqen te të rinjtë. Prania e duhanpirësve në mjedisin e fëmijëve mund të bëhet një shkak për fillimin e konsumit të cigares. Megjithatë adoleshentët ndikohen më shumë nga moshatarët e tyre sesa nga të rriturit, gjë që sjell shpesh dështimin e përpjekjeve për t’i mbajtur ata larg tymosjes. Nga ana psikologjike, duhanpirësit shprehen se cigarja i ndihmon të çlirohen nga ndjenja e stresit. Pavarësisht kësaj, ndjesia e stresit është më e lartë tek duhanpirësit sesa tek ata që nuk e konsumojnë atë.

Shumë larg nga ndihma për të kontrolluar gjendjen e keqe shpirtërore, nikotina duket se e shton stresin akoma më shumë. Për më tepër që kjo lëndë kimike rrit varësinë e përdoruesve ndaj saj. Në mesin e shekullit 20, psikologë si Hans Eisenk zhvilluan një profil të personalitetit për duhanpirësit tipikë të kohës. Duhani është i lidhur me personalitetin ekstrovers. Duhanpirësit janë më shoqërorë, më impulsivë, aventurierë dhe kërkojnë për ekzaltim. Gjatë fazave të para, duhani çliron kënaqësi në sistemin e dopaminës. Me kalimin e kohës kjo ndjesi pozitive kthehet në energji negative. Duhani në art Shfaqja më e hershme e njohur deri më sot e zakonit të duhanpirjes në art është në një enë të fiseve maja në shekullin e nëntë. Menjëherë pas shpërndarjes së duhanit në Europë dhe Azi, ai u bë një element i përfshirë edhe në piktura.

Piktorët e Epokës së Artë Holandeze ishin të parët që pikturuan portrete të njerëzve që pinin duhan. Për piktorët e Europës Jugore të shekullit të 17, një llullë ishte tepër moderne për t’u përfshirë në veprat e tyre të frymëzuara nga mitologjia greke dhe romake. Fillimisht duhanpirja konsiderohej si një gjest i ulët dhe fshataresk, ndaj pikturat e para u realizuan në mjedise bordellosh dhe tavernash. Më vonë, me rritjen e pushtetit dhe mirëqenies, duhanpirja u bë një praktikë fisnike. Kështu zotërinjtë filluan të ngrinin me elegancë nga një llullë në portretet e tyre zyrtare. Në shekullin 18, pirja e duhanit u bë një zakon që e humbi shkëlqimin mondan dhe u bë shumë popullor. Më tepër duhani vihet re në portretet ekzotike të influencuara nga orientalizmi. Shumë besojnë se këto portrete ishin një imazh superioriteti për kolonitë dhe për sundimin e gjinisë mashkullore në orientin e feminizuar.

Në shekullin e 19, duhanpirja ishte simbol i kënaqësive të thjeshta, gjithashtu edhe fuqizimi i shtresës së mesme bëri përhapjen e kësaj praktike që ata e shihnin si një kënaqësi të padëmshme. Pirja e duhanit u bë simbol i bohemëve dhe i lirisë. Ishte shekulli i 20 ai që e konsolidoi përdorimin e cigares në art. Artistët e shihnin atë si shenjë të shkrirjes me natyrën, si moderne, mendimprurëse dhe qetësuese. Cigarja në atë kohë ishte një simbol i autoritetit, mirëqenies dhe fuqisë. Letërsia dhe duhani Ashtu si dhe në fusha të tjera, duhani pati një histori të suksesshme edhe në letërsi. Shkrimtarët dhe poetët i portretizonin personazhet duhanpirës herë si individë madhështorë dhe egoistë, herë si njerëz ironikë, siç është figura e Sharlok Holmsit.

Duhanpirja ka nxitur monologë dhe mendime të mrekullueshme në personazhet e novelave dhe romaneve të shkurtra. Në shekullin 19 dhe 20 u përhapën shumë librat që flisnin për origjinën dhe faktet mbi duhanin. Legjislacioni Shumë qeveri kanë sanksionuar përdorimin e duhanit në zona publike. Si justifikim kryesor ka qenë dëmi shëndetësor që u shkaktohet atyre që nuk pinë cigare, por që rrinë pranë duhanpirësve. Ligjet ndryshojnë në bazë të shteteve. Butani është i vetmi vend në botë që e ka nxjerrë totalisht jashtë ligjit kultivimin, korrjen, prodhimin dhe shitjen e duhanit dhe produkteve të tij. Ishujt Pitkairn e kanë ndaluar shitjen e cigareve, por tani ato mund të blihen vetëm në dyqanet shtetërore. Islanda po përpiqet shumë ta ndalojë shitjen e cigares në dyqane dhe ta lejojë atë vetëm në farmaci me receta doktori. Zelanda e Re po shpreson ta heqë qafe përfundimisht cigaren në vitin 2025, ndërsa Finlanda në 2040-n. Singapori dhe shteti australian i Tasmanias ka propozuar për një brez të çliruar nga cigarja. Sipas tyre duhet të ndalohet të konsumojnë duhan të gjithë personat që kanë lindur pas vitit 2000. Në mars të 2012-s, Brazili u bë shteti i parë në botë që i ndaloi të gjitha shijet e ndryshme të cigares, përfshirë edhe menten.

Taksimi Cigaret janë një burim i rëndësishëm për të ardhurat nga taksat në shumë vende. Ky fakt ka qenë historikisht një pengesë për grupet që kërkojnë të sensibilizojnë duhanpirësit, pasi qeveritë përpiqen t’i maksimizojnë të ardhurat nga tatimet. Për më tepër, disa shtete e kanë bërë duhanin një monopol shtetëror. Në Shtetet e Bashkuara, cigaret taksohen në thelb, por përgjithësisht shtetet janë përcaktues të shkallës së taksimit. Është vënë re se çmimet e larta e ulin përdorimin e duhanit. Çdo 10 për qind rritje e çmimit të cigareve e ul numrin e të rinjve që e konsumojnë me 7 për qind, ndërsa konsumimin në përgjithësi me 4 për qind.

Meqenëse rritja e taksave për cigaret e ul duhanpirjen, shtete të ndryshme federale aplikojnë një taksë prej 1.01 dollarësh për paketë, ndërsa në qytetin e Nju Jorkut, kjo taksë arrin 6.86 dollarë për paketë. Bishtat Një problem tjetër madhor që lind nga konsumi i cigares janë bishtat e saj të përbëra nga filtri ndihmës për thithjen. Një cigare e ka zakonisht fundin në vendin ku është stampuar logoja e kompanisë prodhuese. Bishti përbën rreth 30 për qind të gjatësisë së një cigareje. Kjo mbetje gjendet kudo që nga ndërtesat, parkingjet e rrugët dhe transportohet përmes erërave dhe shirave në lumenj dhe plazhe. Në qytetin e Vankuverit ka filluar ndjekja e politikës që ofron 1 cent për çdo bisht cigareje të mbledhur. Shumë shtete kanë sanksionuar ndëshkime të mëdha për ndotjen nga bishtat e cigareve. Uashingtoni e ka gjobën për këtë ndotje 1025 dollarë.

Ka disa zgjidhje për ndotjen e shkaktuar nga bishtat e cigareve. Së pari është propozuar prodhimi i filtrave biodegradues, së dyti rritja e gjobës, shtimi i një pjese për mbetjet e bishtave në paketën e cigares dhe rritja e ndërgjegjësimit të qytetarëve. Dëmet në shëndet Konsumi i cigares është rritur jashtëzakonisht shumë në fund të shekullit të 20 dhe në fillim të shekullit 21. Një miliard njerëz ndezin çdo ditë të paktën një cigare, prej të cilëve 6 milionë vdesin në vit nga problemet që shkakton duhanpirja, këtu përfshihen 600 000 njerëz që nuk e konsumojnë cigaren, por qëndrojnë pranë atyre që e pinë. Së bashku me qetësinë që ofron te konsumuesit, cigarja mbart me vete shumë probleme shëndetësore. Nikotina, kimikati kryesor për duhanin dhe lëndët shtesë, janë tepër të dëmshme. Një në pesë vdekje ndodh prej duhanit, ndërsa gjysma e duhanpirësve vdesin nga sëmundje që lidhen me konsumin e cigares. Është llogaritur se cigarja e shkurton me 14 vjet jetën e konsumuesit. Femrat shtatzënë që konsumojnë cigare preken nga probleme si lindja me defekte e fëmijëve, pesha e pakët e tyre, anomalitë në fetus dhe lindja e parakohshme. Është duhani ai që ndikon më shumë në sëmundjet e zemrës, mushkërisë dhe mëlçisë.

Duhanpirësit janë tepër të rrezikuar kundrejt atakëve në zemër, infarkteve, sëmundjeve kronike pneumonare dhe kanceri. Aditivët Substanca ndihmëse janë kombinuar në përzierjet e copëtuara të duhanit. Të tilla janë gliceroli, produktet aromatizuese, solidët e kakaos, ekstraktet e duhanit dhe sheqere të ndryshme. Sot numërohen rreth 600 substanca aditive që i shtohen cigares, shumica e të cilave janë të miratuara nga qeveritë e vendeve të kompanive prodhuese. Paralajmërimet Efektet jo të mira të cigares për shëndetin u përhapën shumë gjatë shekullit të 20, kur filluan t’u bashkëngjiteshin paketave të cigareve.

Paralajmërimet u bënë të përhapura, por jo shumë popullore, kjo për shkak të influencës së politikanëve që merreshin me biznesin e cigares. Në Shtetet e Bashkuara, etiketat e efekteve negative të cigares nuk janë akoma të përfshira në paketa. Cigaret e shëndetshme “Grali i shenjtë” për kompanitë e cigareve ka qenë kërkesa për një cigare që nuk shkakton kancer. Sipas të dhënave, përpjekja më afër suksesit i takon shkencëtarit Xhejms Mold. Projekti i tij quhej TAME dhe ai arriti të prodhonte cigaret XA. Megjithatë kjo nismë përfundoi në vitin 1978.

15 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Ndryshe