Siria, Putin: Sulme të tjera në Siri shkaktojnë “kaos”

Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar se çdo sulm tjetër nga fuqitë Perëndimore kundër Sirisë do të “dërgojë pashmangshëm drejt një kaosi në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Putin ka bërë këtë paralajmërim më 15 prill gjatë një bisede tefonike me presidentin iranian, Hasan Rohani, bazuar në një njoftim të Kremlinit.

Është raportuar se të dy presidentët janë pajtuar që sulmet e 14 prillit të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe “kanë dëmtuar mundësitë për gjetjen e një zgjedhje në Siri”.

Sulmet ajrore kanë ardhur në përgjigje të sulmit të dyshuar me armë kimike në Siri, në të cilin kanë vdekur dhjetëra persona javën e kaluar.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, ka thënë më 14 prill në Këshillin e Sigurimit se sulmet kanë qenë të “justifikuara, legjitime dhe proporcionale”.

“Kam folur këtë mëngjes me presidentin amerikan, Donald Trump dhe ai ka thënë se ‘nëse regjimi sirian do të përdorë sërish gaz helmues, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për sulme”, ka thënë ajo.

15 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota