Siria, Trump: Bombardime perfekte! Asad: Jemi edhe më të bashkuar

“Sulmet në Siri janë kryer në mënyrë aq të përkryer, me një saktësi të tillë, sa që mënyra e vetme ku mjetet e informacionit që shpërndajnë lajme false nuk i kanë reduktuar dot, por kanë përdorur shprehjen time, ‘misioni u përmbush’. E dija që do të kapeshin me këtë frazë”.

Është ky mesazhi në “Twitter” i presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka reaguar me ironi ndaj komenteve të mediave mbi shprehjen “misioni u përmbush”, – duke iu referuar bombardimeve të aleatëve ndaj interesave ushtarake të Sirisë.

Ndërkohë, presidenti sirian, Bashar al-Assad ka thënë para një grupi të ligjvënësve rusë të dielën, se sulmet Perëndimore në shtetin e tij kanë qenë akt i agresionit, kanë raportuar agjencitë e lajmeve ruse.

“Raketat perëndimore kundër Sirisë nuk do të kenë efekt tjetër veç se të bashkojnë vendin nën lidershipin tim”, – është shprehur presidenti sirian Bashar Al Asad, teksa ka pritur një delegacion politikanësh rusë në vend.

Presidenca siriane ka postuar në profilin e saj në “Twitter” një foto të takimit. Ka qenë parlamentari rus, Dmitry Sablin ai që ka pohuar fjalët e shprehura gjatë takimit me Asadin, të cilët, rusët e përshkruajnë si një njeri “absolutisht pozitiv dhe të mirë”.

Të shtunën, pas reprezaljes së udhëhequr nga SHBA-të, Donald Trump ka telefonuar aleatët Macron dhe May, duke i falënderuar për mbështetjen e sulmit ndaj objektivave ushtarake siriane. Të tre, kanë rënë dakord që bombardimet “kanë pasur një sukses” dhe ishin të nevojshme për të dobësuar programin e armëve kimike të Damaskut. Trump, në një “tweet”, ka theksuar: “Sulm i përsosur”. Në Britani, ministri i Jashtëm, Boris Johnson ka paralajmëruar se Rusia mund të “hakmerret” ndaj këtij sulmi.

15 prill 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota