Koreja e Veriut kërcënon të anulojë samitin me Trump

Koreja e Veriut ka thënë se mund të mos zhvillohet samiti i programuar për në 12 qershor, ku Kim Jong-un do të takohet me Presidentin e SHBA Donald Trump nëse SHBA këmbëngul që vendi komunist të heqë dorë nga armët bërthamore.

Në një deklaratë të ashpër, ministri i jashtëm i Koresë së Veriut akuzoi SHBA-të se kanë bërë deklarata të pakujdesshme dhe se kanë synime të këqija. Ai e vendosi gishtin mbi Këshilltarin Amerikan të Sigurisë Kombëtare John Bolton.

“Ne nuk e fshejmë ndjenjën e mospranimit ndaj tij”, tha Kim Kye-gwan. Shtëpia e Bardhë është përgjigjur duke thënë se ende shpreson se takimi do të zhvillohet.

“Presidenti është i gatshëm që takimi të zhvillohet. Nëse nuk do të zhvillohet, ne do të vazhdojmë fushatën maksimale të presionit”, tha zëdhënësja e Trump, Sarah Sanders.

Marrëveshja fillestare parashikonte takimin e dy liderëve, ndërsa Koreja e Veriut tha se ishte e angazhuar të denuklearizonte gadishullin Korean. Pikërisht ajo që do të arrihet ka mbetur e paqartë, por Koreja e Veriut ka ftuar mediat e huaja që të dëshmojnë për çmontimin e vendit të testimit bërthamor gjatë këtij muaji.

Bolton kohët e fundit tha se Koreja e Veriut mund të ndiqte një “model të Libisë” për denuklearizimin e verifikueshëm, por kjo alarmoi Phenianin, i cili vëzhgoi kolonelin Gaddafi të Libisë gjatë heqjes dorë nga programi i tij bërthamor, teksa në fund e pa atë të vrarë nga rebelët perëndimorë. Laura Bicker e BBC në Seul thotë se Koreja e Veriut, e cila kishte thënë që arsenali i saj bërthamor është thelbësor për mbijetesën e saj si shtet, tani po i bën kërkesat e veta të qarta.

Deklarata e Kim, e bartur nga mediat shtetërore, thotë se nëse SHBA “na qorton dhe kërkon njëanshëm që ne të heqim dorë nga armët bërthamore nuk do të kemi më interes për bisedimet” dhe “do të duhet të rishikojmë” pjesëmarrjen në samitin e 12 qershorit në Singapor.

Aty thuhet gjithashtu se Koreja e Veriut kishte “shpresa të mëdha”, por se është “shumë fatkeqe që SHBA po na provokojnë përpara samitit duke dhënë deklarata qesharake”.

Kim Kye-gwan është i njohur të jetë shumë i respektuar në udhëheqjen e Koresë së Veriut dhe ka marrë pjesë në bisedimet me Shtetet e Bashkuara më parë. Ka shumë pak mundësi që komentet e tij nuk janë miratuar personalisht nga Kim Jong-un.

Disa orë përpara njoftimit, në shenjë të problemeve në rritje dhe për shkak të zemërimit mbi nisjen e stërvitjeve ushtarake të përbashkëta SHBA-Kore e Jugut, Veriu gjithashtu u tërhoq nga një takim i planifikuar me Jugun të mërkurën.

Koreja e Veriut më herët tha se do t’u lejonte të shkonin përpara, por pastaj i quajti “një grumbullim provokues ushtarak”, i cili po dëmtonte përpjekjet diplomatike të saj.

Ndryshimi i papritur i tonit nga Pheniani thuhet se i ka kapur zyrtarët amerikanë në befasi. Analistët thonë se Koreja e Veriut mund të përpiqet të forcojë dorën para bisedimeve. Departamenti amerikan i shtetit tha se po vazhdonte të planifikonte takimin e Trump-Kim, dhe priten komentet e Trump. Një zëdhënës i qeverisë kineze i kërkoi Koresë së Veriut dhe SHBA të “takoheshin njëra me tjetrën në gjysmë të rrugës” përpara negociatave.

Koreja e Veriut dëshiron që bota të dijë se po vjen në tryezën e negociatave nga një pozitë e fortë dhe ata mund të mendojnë se po bëjnë të gjitha lëshimet. Ata kanë pezulluar të gjitha testet e raketave, kanë liruar tre të burgosurit amerikanë, Kim Jong-un u takua me Presidentin Moon dhe palët nënshkruan një deklaratë, dhe ata janë gati të çmontojnë një vend testimi bërthamor para mediave ndërkombëtare.

Këto deklarata më shumë sesa pohojnë se Koreja e Veriut është e gatshme të mos marrë pjesë në samitin me Presidentin Trump në Singapor, janë mjeti i Kim për të arritur tek një marrëveshje që ai aq shumë e pëlqen.

16 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota