Trump: Kim Jong-un marrëveshje për armët ose përfundon si Gaddafi!

Pavarësisht rikthimit të Koresë së Veriut tek retorika e ashpër dhe thirrjeve në median e saj shtetërore për bllokim të samitit me SHBA, të parashikuar për t’u mbajtur më 12 qershor në Singapor, presidenti Donald Trump tha sot se zyrtarët e të dy vendeve po vazhdojnë ende përgatitjet për samitin.

Trump tha se Kim Jong Un do të mbetet në pushtet nëse ai braktis programin e tij të armëve bërthamore, por paralajmëroi Kim se nëse Koreja e Veriut nuk denuklearizohet falë një marrëveshjve me SHBA-të, ai mund të ketë fatin e ish-liderit të Libisë, Moammar Gaddafi.

Ai ka lexuar raporte të lajmeve për deklaratat e Koresë së Veriut dhe tha se koreanoveriorët ende nuk kanë sinjalizuar plane për të anuluar samitin.

“Në qoftë se takimi ndodh, kjo ndodh. Dhe nëse jo, ne vazhdojmë në hapin tjetër”, tha Trump me ton kërcënues.

“Ne mund të kemi takimin, nuk mund të kemi takimin, nëse nuk e kemi atë, kjo do të jetë shumë interesante … Ne do të shohim se çfarë ndodh”, theksoi Presidenti i SHBA duke rihapur lojën e kërcënimeve në distancë.

Presidenti u mor edhe me komentin e këshilltarit të tij për sigurimin kombëtar, John Bolton, i cili kishte irrituar koreano-veriorët me fjalimin për aplikimin e “modelit libian” në denuklearizimin e Koresë së Veriut, dhe u përpoq të siguronte se Kim do të mbetet në pushtet nëse ai heq dorë nga armët e tij bërthamore.

Presidenti duket se ishte i hutuar për “modelin libian”, të cilit Bolton iu referua në fund të muajit të kaluar kur tha se “modeli i Libisë 2003, 2004” mund të zbatohej në negociatat e SHBA me Korenë e Veriut. Bolton po i referohej shpërbërjes së programit të armëve të shkatërrimit në masë të Libisë, por Trump u duk se i referohej modelit libian si ndërhyrje ushtarake pasuese në Libi disa vjet më vonë që e largoi Moammar Gaddafin nga pushteti dhe më pas e ekzekutoi atë me mbështetjen e NATO-s ndaj rebelëve.

“Modeli, nëse i referoheni atij me Gaddafin, ishte një ekzekutim total. Ne shkuam atje për ta thyer atë. Tani, ai model mund të përsëritet sërish nëse ne nuk bëjmë një marrëveshje, që ka shumë gjasë të ndodhë. Por, nëse ne arrijmë një pakt, mendoj se Kim Jong-un do të jetë tepër, tepër i lumtur”, tha Trump.

I pyetur nëse komentet e tij nënkuptojnë se ai nuk ka rënë dakord me këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, i treti në linjë në administratën e tij, presidenti tha:

“Mendoj se, kur John Bolton e bëri atë deklaratë, ai po fliste në rast se ne do të hasnim ndonjë problem, sepse ne nuk mund ta lejojmë atë vend të ketë arsenal bërthamor. Thjesht nuk mundemi, Ky model do të ndodhte nëse nuk bëjmë një marrëveshje”.

17 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota