Erdogan: Pas zgjedhjeve do heq gjendjen e jashtëzakonshme

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka premtuar për herë të parë se do të heqë gjendjen e jashtëzakonshme gati 2-vjeçare, në rast se fiton zgjedhjet e këtij muaji.

“Pas 24 qershorit, nëse më jepet e drejta për të vazhduar punën në zyrë, me vullnetin e Zotit, puna jonë e parë do të jetë heqja e gjendjes së jashtëzakonshme”, deklaroi Erdogan.

Komentet e tij kanë ardhur pasi edhe kandidatët tjerë kanë premtuar heqjen e kësaj mase. Kjo gjendje është kthyer në temë të fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale që do të mbahen më 24 qershor, pasi partitë opozitare kanë premtuar se do t’i japin fund.

Erdogan ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pesë ditë pas tentativës së dështuar për puç më 15 korrik 2016.

14 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota