Sulmi me dron, befason Maduro: Do pranoja ndihmën e FBI për hetimin!

Presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka thënë se do të lejojë agjentët e FBI të SHBA të hyjnë në vend që të ndihmojnë në hetimin e tentativës së vrasjes kundër tij një javë më parë. Presidenti tha se besonte se njerëzit e përfshirë janë fshehur në Florida, Peru dhe Kolumbi.

SHBA ka treguar se do të bashkëpunojë me hetimet, por nuk ka bërë një ofertë të njohur për një vizitë nga FBI.

Udhëheqësi i Venezuelës akuzon rregullisht SHBA-të se dëshirojnë ta rrëzojnë atë nga pushteti dhe deklarata e tij e fundit ka habitur jo pak.

Të dy vendet kanë kohë që kanë pasur marrëdhënie të tensionuara. Kur Maduro u rizgjodh në maj, SHBA rriti sanksionet e saj ndaj Venezuelës, duke thënë se zgjedhjet nuk ishin të lira apo të drejta.

Megjithatë, në një fjalim televiziv vonë të shtunën, Presidenti Maduro i befasoi të gjithë duke thënë se ai do të pranonte ndihmën amerikane për të hetuar komplotin e dyshuar.

“Nëse qeveria amerikane ofrohet, ose konfirmon ofertën e saj për bashkëpunimin e FBI-së për të hetuar, unë do ta pranoj atë”, tha ai.

Maduro shtoi se ka qeliza “terroriste” në Florida, që kanë hartuar planin dhe duhet të çmontohen.

Ai gjithashtu i bëri thirrje qeverisë së Perusë që të ekstradojë të dyshuarit që jetojnë atje.

Incidenti ndodhi kur Maduro ishte duke folur në paradën ushtarake më 4 gusht. Videoja shfaqi presidentin e befasuar duke shikuar lart teksa shpërthime dëgjoheshin dhe dhjetëra ushtarë u shpërndanë për të neutralizuar sulmin. Ministri i Komunikimeve Jorge Rodriguez më vonë tha se dy dronë të ngarkuar me eksploziv kishin shpërthyer pranë vendqëndrimit të presidentit. Maduro ia hodhi paq, por shtatë ushtarë u plagosën.

Si mund të ndihmonte SHBA-ja?

Qeveria Venezueliane dëshiron të sigurojë ekstradimin e të dyshuarit kryesor të saj Osman Delgado Tabosky, i cili jeton në Miami, Florida. Ministri i Jashtëm Jorge Arreaza u takua me diplomatin më të lartë amerikan në Caracas James Story javën e kaluar dhe kërkoi ndihmë për rastin Arreaza, duke thënë se Shtetet e Bashkuara kishin rënë dakord të bashkëpunonin.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA John Bolton ka mohuar ndonjë përfshirje të SHBA në komplotin e dyshuar.

“Nëse qeveria e Venezuelës ka informacion që ata duan të na paraqesin, që do të tregojë një shkelje të mundshme të ligjit penal amerikan, do ta shqyrtojmë seriozisht atë”, tha Bolton për Fox Neës të hënën e kaluar.

12 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota