Tension në Detin e Zi. 6 bombardues Rusë hyjnë në hapësirën e NATO-s

Tensionet në Detin e Zi janë rritur, me Forcën Mbretërore Ajrore të Britanisë që njoftoi sot se radarët kishin kapur gjashtë aeroplanë bombardues rusë që fluturonin në afërsi të hapësirës ajrore të NATO-s mbi këtë det.

“Avionët e tipit ‘Eurofighter Typhoon’ u ngritën të hënën në mëngjes nga baza ajrore ‘Mihail Kogalniceanu’ (juglindje) si përgjigje ndaj pranisë së gjashtë avionëve bombardues të tipit ‘Sukhoi Su-24 Fencer’ që po fluturonin pranë hapësirës ajrore të NATO-s, mbi Detin e Zi”, tha RAF.

Sipas tyre ka patur “aktivitet të konsiderueshëm ajror rus gjatë natës” dhe u desh ndërhyrja e avionëve britanikë për të penguar “luftarakët” rusë, të cilët u kthyen drejt Krimesë.

“Ky operacion bën pjesë në misionin policor ajror të përforcuar të NATO-s në kuadër të të cilit ‘Royal Air Force’ veproi për të dekurajuar çdo lloji agresioni të Rusisë, për të garantuar miqtë rumunë dhe të aplikojë angazhimin e Britanisë së Madhe që synon të garantojë mbrojtjen e përgjithshme të vendeve anëtare të NATO-s”, thuhet në deklaratë .

Ndërkohë ministri rumun i Mbrojtjes Mihai Fifor më herët kishte thënë se ‘provokime’ të tilla nga Rusia ishin bërë ‘të shpeshta’ në muajt e fundit.

15 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota