Shembja e urës, Europa trembet pas tragjedisë në Itali

Shembja e urës “Morandi” në Gjenovë, ka shkaktuar reagime dhe polemika të forta edhe në vendet evropiane. Tragjedia ka qenë pa dyshim në vëmendje në të gjitha vendet e kontinentit të vjetër. Janë të ndryshme vendet, ku mediat janë përpjekur të bëjnë një kuadër të strukturave në brendësi të kufijve të tyre. Në Bullgari, qeveria ka urdhëruar një plan për kontrollin dhe mirëmbajtjen e të gjitha urave në vend. Shqetësime ka edhe në Francë e Gjermani.

Bullgaria – Frika i ka hyrë qeverisë bullgare, e cila ka vendosur të rinovojë më shumë se 200 ura e do ta bëjë këtë me kredi apo përmes buxhetit, me punimet që do të nisin njëkohësisht, pavarësisht se Bullgaria është shteti më i varfër i BE. Bëhet fjalë për struktura që kanë më shumë se 35-40 vjet. Sipas një dokumenti të kryeministrisë, disa degëzime të urave janë në kushte të këqija. Kryeministri Bojko Borisov ka pohuar: “Si të financohen me forma huaje që do t’i shlyejmë, ashtu edhe me fonde të bilancit, dua që të rikonstrutohen të gjitha së bashku.

Franca – “Oltralpe”, “Le Monde” dhe gazeta të tjera kanë marrë një raport të fundit të bërë nga dy kompani të specializuara, të ngarkuara me një studim nga Ministria e Transportit. Sipas dokumentit “mbi 12 mijë urat e rrjetit francez të menaxhuara nga shteti, një e treta kanë nevojë për riparime. Gjithashtu, sipas raportit 840 të këtyre strukturave do të paraqisnin dëmtime serioze, me rrezikun e shfaqjes, në të ardhmen, të rrezikut të kolapsit; për këtë arsye do të ishte e nevojshme “para mbyllja e urave në qarkullimin e automjeteve të rënda ose të të gjitha automjeteve”.

Gjermania – Sa i përket Gjermanisë, gazeta “Bild” ka shqyrtuar urat më të ngarkuara në rrugët e vendit. Sipas qeverisë federale, “nga 39,500 ura në autostrada dhe rrugë kryesore, vetëm një në tetë është në gjendje të mirë dhe një në tre duhet të rinovohen në kohën e duhur”. Nga të dhënat e observatorit të kontrollit të Ministrisë Gjermane të Infrastrukturës dhe Transportit, del se në periudhën 2014-2018 rreth 9 milionë metra katrorë të urave u përkeqësuan. “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Spiegel”, gjithashtu kanë publikuar detaje mbi këtë temë.

Zvicra – Në Zvicër, Zyra Federale e Rrugëve, nëpërmjet zëdhënësit Thomas Rohrbach, i tha gazetës “Blick” se shteti investon mes 200 dhe 400 milionë franga në vit për mirëmbajtjen e autostradave. “Personeli i qendrave të mirëmbajtjes së autostradës është çdo ditë në rrjetin rrugor kombëtar, – shpjegoi Rohrbach, – bën kontrolle vizuale dhe menjëherë raporton çdo dëm. Çdo urë inspektohet me kujdes çdo pesë vjet. Dhe në rast të një aksidenti ose zjarri pranë një ure, ky i fundit është ekzaminuar”.

Spanja – Edhe gazetat iberike janë marrë me këtë çështje pas tragjedisë në Itali. Në rrjetin kombëtar spanjoll ekzistojnë rreth 22,500 vepra tranziti (përfshirë këtu edhe ura), të gjitha të inspektuara gjatë pesë viteve të fundit. Megjithatë, disa media njoftuan një mungesë transparence në këtë drejtim nga ana e qeverisë, një akuzë e refuzuar nga udhëheqësit e Madridit.

16 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota