Trump kundër mediave amerikane: Dua lirinë e vërtetë të shtypit!

Donald Trump ka reaguar ndaj valës editoriale kundër sulmeve të tij ndaj mediave amerikane, në përgjigje të apelit të “Bostron Globe”. Dhe në një “tweet”, ai ka pohuar se nuk dëshiron asgjë tjetër, veç se “lirinë e vërtetë të shtypit”, por “më shumë nga sa mediat referojnë, janë lajme të rreme, që nxisin një agjendë politike apo thjesht tentojnë të dëmtojnë persona të ndryshëm”, – tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

“The Boston Globe” bëri thirrje javën e kaluar për një reagim të gjerë në shkallë kombëtare, ndaj “luftës së ndyrë” të presidentit kundër medieve, duke e titulluar atë #EnemyOfNone (Armiq të askujt).

Trump i ka etiketuar raportimet e medieve si “lajme të rreme” dhe i ka cilësuar gazetarët si “armiq të popullit”.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë thënë se, këto deklarata nxisin rrezikun e përdorimit të dhunës kundër gazetarëve.

“The Boston Globe” kishte premtuar se do të shkruante një editorial mbi rreziqet e sulmit të administratës mbi shtypin, më 16 gusht, e u kërkoi edhe medieve të tjera të bënin të njëjtën gjë.

Reagimi pozitiv fillestar nga 100 organizata mediatike u rrit, duke iu bashkuar nismës 350 gazeta të mëdha kombëtare apo gazeta lokale, e mes tyre edhe të përditshme të rëndësishme ndërkombëtare, si “The Guardian”.

Fushata e së enjtes vjen pas një serie incidentesh dhe komenteve të Trumpit që kanë shtuar presionin mbi medien.

17 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota