Uragani “Florence” mbërrin në Karolinë, mijëra persona pa energji

Stuhia e fuqishme “Florence” ka arritur afër bregdetit të Karolinës, në Shtetet e Bashkuara duke sjellë vërshime dhe mungesë të energjisë elektrike për gati 100.000 persona.

Parashikuesit e motit bënë me dije se kushtet do të përkeqësohen, ndërsa stuhia do të afrohet edhe më shumë më 14 shtator në kufirin mes Karolinës Veriore dhe asaj Jugore.

Erërat, të cilat kanë arritur shpejtësinë e 155 kilometrave në orë dhe shirat e rrëmbyeshëm në ditët e ardhshme do të rrisin nivelin e ujit, duke përkeqësuar rëndë situatën në këtë zonë.

Stuhia Florence aktualisht ka zbritur nga kategoria e katërt në atë të dytë, mirëpo zyrtarët kanë paralajmëruar banorët që të tregojnë kujdes.

“Kjo është stuhi e fuqishme që mund t’iu vrasë. Sot kërcënimi bëhet realitet”, deklaroi Guvernatori i Karolinës Veriore, Roy Cooper.

Presidenti amerikan, Donald Trump, theksoi përmes një postimi në “Twitter” se zyrtarët e emergjencës dhe ata të ndihmës së parë janë të furnizuar dhe të gatshëm.

Banorët e pjesës më të madhe të Karolinës janë evakuuar, shkollat dhe bizneset janë mbyllur, si dhe rreth 1.500 fluturime janë anuluar.

14 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota