Irani kërcënon BE-në: Mos iu nënshtroni SHBA-ve, ndalni sanksionet e tyre

“Europianët duhet të mos i nënshtrohen SHBA-ve”. Këtë ka kërkuar ministri i Jashtëm iranian, Mohamed Sarif duke folur për jetëgjatësinë e paktit bërthamor, teksa ka theksuar se nëse BE do të qëndrojë pasive, Irani do të fillojë me pasurimin e uraniumit.

Sarif ka akuzuar BE se pas daljes së SHBA nga marrëveshja atomike nuk ka reaguar në mënyrë të mjaftueshme. “Europianët dhe nënshkruesit e tjerë duhet të veprojnë për të kompensuar efektet e sanksioneve amerikane”, ka thënë Sharif për revistën gjermane “Der Spiegel”. Sarif ka kërcënuar, se Irani do të reagojë, nëse prishen “balancat e marrëdhënies”.

“Për këtë nuk ka nevojë që Irani të heqë dorë nga marrëveshja atomike, sepse është e mundur që ne ta praktikojmë atë në mënyrë të reduktuar. Një nga mundësitë është që Irani të fillojë sërish me pasurimin e uraniumit”. tha ai.

Sarifi kërkoi nga vendet anëtare të BE-së që të sanksionojnë firmat, “të cilat për shkak të sanksioneve të reja amerikane heqin dorë nga biznesi me Iranin”.

“Europianët duhet të vendosin, nëse janë të gatshëm që fjalët t’i pasojnë edhe me vepra”, theksoi kreu i diplomacisë iraniane.

Çështja që shtrohet sipas tij, është nëse “Europa i nënshtrohet diktatit amerikan”. Ministri i Jashtëm iranian përjashtoi bisedime direkte të vendit të tij me SHBA, duke thënë se nuk ka bazë për bisedime.

“Vetëm nëse SHBA rikthehehet tek marrëveshja atomike, do të ishte e mundur të mendohej për bisedime”, nënvizoi ai.

SHBA në mënyrë të njëanshme hoqën dorë nga marrëveshja atomike në maj të këtij viti, në bazë të së cilës, Irani kufizon zgjerimin e kapaciteteve nukleare në mënyrë të verifikueshme. Në gusht SHBA vendosën sërish sanksione ekonomike kundër Iranit, ndërsa në nëntor do të filloj një raund i ri sanksionesh, me të cilën SHBA kërkojnë të pengojnë eksportimin e naftës nga Irani.

16 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota