Izrael-Palestinë, paqja më e largët në epokën e Trumpit

25 vjet pasi Izraeli dhe Organizata për Çlirimin e Palestinës nënshkruan Marrëveshjen e Paqes të Oslos, e cila shtoi shpresat për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, ekspertët thonë se paqja në Lindjen e Mesme është më larg se ndonjëherë. Disa prej ekspertëve paralajmërojnë se përmes veprimeve të saj të fundit, administrata Trump ka humbur besimin e palestinezëve për të qenë një ndërmjetës i drejtë në këtë konflikt.

Shtrëngimi i duarve mes Kryeministrit izraelit Yitzhak Rabin dhe kryetarit të atëhershëm të OPÇ-së Yasser Arafat, sfidoi tabutë e vjetra për çfarëdolloj bashkëpunimi mes dy armiqve, ndërsa të dyja palët i mbanin sytë nga ndihma e Shteteve të Bashkuara për të arritur një marrëveshje më të gjerë që do të mundësonte bashkëjetesën paqësore të dy shteteve sovrane, Izraelit dhe Palestinës.

Tashmë, 25 vjet më vonë, administrata Trump ka kënaqur qeverinë izraelite, por ka armiqësuar palestinezët nëpërmjet një sërë veprimesh, duke filluar me njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe vendosjen atje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Gazetarët shtruan pyetjen nëse administrata Trump beson se po i inkurajon palestinezët të rikthehen në tryezën e bisedimeve nëpërmjet prerjes së fondeve për agjensinë e OKB-së për refugjatët palestinezë dhe mbylljes së zyrës së OPÇ-së në Uashington. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, tha se zyrtarët amerikanë po provojnë një përqasje tjetër.

“Asgjë nuk ka funksionuar gjatë gjithë jetës sonë, apo jo? Asgjë nuk ka funksionuar deri më tani, kështu që po provojmë një përqasje tjetër dhe të shohim nëse do të ketë rezultat. Jemi të përkushtuar dhe kemi njerëz në terren, që punojnë çdo ditë për këtë gjë. Vazhdojmë të jemi optimistë dhe po punojmë”, tha zonja Nauert.

Dhëndrri i Presidentit, Jared Kushner, i tha gazetës “The New York Times” se asnjë nga masat ndëshkuese ndaj palestinezëve nuk i ka ulur shanset për një plan amerikan për paqen, përpjekje të cilën ai drejton. Por, disa analistë nuk janë dakort.

“Këto lëvizje të administratës Trump ia kanë mbyllur derën mundësisë për t’i angazhuar palestinezët në një mënyrë konstruktive. Janë një sërë vendimesh. U mor vendimi për të hapur ambasadën në Jeruzalem; vendimi për të prerë fondet për UNRWA-n, programin palestinez të ndihmave për refugjatët; vendimi për ndihmën që i jepej autoritetit palestinez”, thotë Natan Sachs, i Institutit Brookings.

Zoti Sachs vë në dukje se administrata Trump vazhdon të thotë se plani është pothuajse i përfunduar dhe se do të paraqitet së shpejti.

“Ky plan vazhdon të jetë gjithnjë gati për t’u publikuar. Nuk di nëse do të publikohet ndonjëherë. Pjesë të këtij plani janë pritur tashmë ftohtë nga disa udhëheqës arabë. U tha se po qarkullonin idenë për të përfshirë Jordaninë, diçka që jordanezët e kanë përjashtuar kategorikisht që në vitin 1988”, thotë zoti Sachs.

Për shumë banorë të kësaj pjese të botës, shpresat për një paqe të qëndrueshme janë venitur si një kujtim i largët.

16 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota