Kryearkitekt Kasëm Grëmshi i Tomoricës, në dokumentet osmane


Sepetlçir Koshku xhami

Është shumë e vështirë të shkruash për njerëz të shquar me veprën që kanë lënë, kur dokumentet e tyre, janë të shpërndara nëpër arkiva botërore. Një ndër këta njerëz  gjigantesk, për të cilin ka shumë dokumente të shpërndara është dhe arkitekti i madh i Shqipërisë, Kasëm Grëmshi nga Tomorrica e  Skraparit. Ai është një ndër figurat e mëdha historike arkitekturore të Shqipërisë në Perandorinë Osmane, me përmasa botërore .

Nga studimet që kam bërë deri tani nëpër arkiva a biblioteka shkencore në Turqi, ( 24.03.2004 – 2018 ) Kasëmi rreshtohet si arkitekt dhe kryearkitekt, midis shumë të tjerëve arkitekt e kryearkıtekt në këtë Perandori, duke filluar nga fundi i shekullit XVI dhe vazhdimi në shekullin XVII. Në të njëjtën kohë, ky njeri i madh me veprën që bëri gjatë jetës së tij, si arkitekt e kryearkitekt, ka qenë dhe një figurë e madhe politike në kohën e sulltan Muratit IV ( 1623 – 1640 ) dhe sulltan Ibrahimit ( 1640- 1648 ).

Kam 21 vjet që kërkoj foton e tij nëpër arkiva e biblioteka shkencore në Turqi, por atë nuk e gjeta në këto vite. Për fat të mirë, më 24.04.2018, nga kontrolli që bëra me shokun e bibliotekës (dhe ai me origjinë shqiptare ), së vjetër shkencore, përballë Universitetit të Stambollit në Bajazit, e gjeta foton e tij. Kjo datë e madhërishme, por dhe interesante përkoi me gjetjen e  disa shkrimeve, më 24.03.2004, (muaji ndryshon) në bibliotekën  e madhe shkencore, ”Islam Ansiklopedi” në Ballarbashë, në pjesën e sipërme, në Yskydar. Kështu, mbas 358 – 359 viteve, sipas datëlindjes së ti , kjo foto u gjet nga kërkimet e historianëve turq.

Kasëmi u lind në fshatin Grëmsh të Tomorricës së Skraparit.  Data e lindjes dhe ajo e vdekjes nëpërmjet  shkrimeve arkivore  në Turqi nuk  gjendet e saktë. Nga studimi i shumë dokumenteve arkivore, nëpër biblioteka shkencore a në Arkivin Osman, në Turqi , gjen dokumente me datëlindje të ndryshme. Në këto libra enciklopedikë, shkruhen këto data: 1567,978/1570 ( sipas kalendarit të vjetër Hixhri i takon viti  978 dhe sipas kalendarit të ri, Miladin i takon viti 1570 ). E njëjta gjë,ndodh dhe me datën e vdekjes.

Sipas dokumenteve të kohës datat :1659 ose 1070/1660  tregojnë  kohën e vdekjes në Stamboll. Sidoqoftë , kryearkitekti i Perandorisë Osmane, Kasëm Agai ose Koxha Kasëm Agai nga Grëmshi ose Gramesh – Garmish , (të shkruara sipas dokumenteve ), ka jetuar midis moshës: 89 – 90 -92 vjeç. Varri i tij është vendosur në varrezat e  mëdha me emrin “Karaxhaahmet ”, në Yskydar , Stamboll , si një përmendore e madhe e mermert, në të cilën janë shkruar të dhëna të jetës së tij në gjuhën osmanisht .


Bagdat Qoshk

Kasëmi , ishte djali i Aliut. Emri  i nënës  së tij ende nuk është gjetur në këto dokumente. Ai, sipas dokumenteve ka qenë djalë i shëndetshëm i  marrë nga turqit, fëmijë dhe është dërguar në sarajet e sulltanit . Koha e  marrjes nga Grëmshi dhe e dërgimit në Turqi i përket kohës së sundimit të  sulltanit të XI , Selimit  të dytë (1566 – 1574 dhe sulltanit  të XII , Muratit të tretë (1574 – 1595 )  Është koha e rrebesheve osmane, të viteve, 1570, 1699, 1701, 1714 -1715, 1717, 1828, 1842 etj , kur taboret turko-osmane vërshuan në Shqipëri  dhe po ashtu  në fshatin e Grëmshit që atë kohë kishte 400 e ca shtëpi. Vërshuan atje, se nga Grëmshi dolën figura të shquara, si: Mehmet Allko , Mustafa Osmani, Muço Beqiri e të tjerë, të cilët u ngritën me zotësi e zgjuarsi, si udhëheqës, duke e tërbuar ushtrinë turke . Pikërisht dhe në vitin 1570, kur ka lindur Kasëmi, kanë ardhur turqit-osmanë. Kasëmi , ky fëmijë i vogël (mosha nuk është shkruar në këto dokumente, por shkruhet acemi-axhemi, pra fëmijë ), u çua dhe u rrit në sarajet e sulltan të XI, Selimit  të dytë  dhe sulltanit të XII, Muratit të tretë.

Aty u rrit  e mori mësimet për arkitekt. Në periudhën  e sulltan  Mehmetit III  (1595 -1603 ), Kasëmi i Grëmshit , punoi si arkitekt në sarajet e  këtij sulltani. Nga puna e tij e madhe, më pas, në moshën 52 vjeç , arriti një shkallë  të lartë të veprimtarisë arkitekturore dhe si rezultat i kësaj pune, autoritetet qeveritare osmane, e dërgojnë në Hasbahçe.

Mjeshtërinë arkitekturore e mësoi nga Davud Aga. Emri i tij si arkitekt për herë të parë është dëgjuar në vitin 1597, në moshën 27 vjeç, gjatë riparimit të Hamamit të Valide Sulltanit, që ndodhej në lagjen Dikilitash . Mbas vdekjes së kryearkitektit, Hasan Agës- agait,më 1622, Kasëm Aga Koxhajin (Kasëm beun e madh) , e dërgojnë me detyrë në kryesinë e arkitekturës, si kryearkitekt në moshën 52 vjeç.

Për jetën e tij, kanë shkruar shumë studiues, si: Mehmet Syreja, “Sicill-i  Istanbul 1308.  IV. 49 .,një biografi e shkurtër, Ahmet Refik ( Altënaj) dhe  F.Babinger  në vitin 1924 , shkruajnë biografinë e parë, më të saktë  se Mehmet Syreja. Këtë biografi e botuan: E. Kuhner”in,,më 1927 , bëri  botime me shumë gabime . Për herë të parë është shkruar një  artikull për varrin e Kasëmit nga A.Kemaleddin në vitin 1934 . Ka shkruar, Izet Kumbaraxhëllar e të tjerë studiues.

Më mbrapa, detyrën si kryearkitekt, e vazhdoi në Sarajin historik të Topkapës (Dera e Topit), në ndërtimin e Qoshkut  Sepetçiler xhami. Autoritetet osmane, duke parë se shkalla e artit të Kasëmit ishte e madhe, e lejuan të ndërtonte Jeni Xhaminë ose Xhaminë e Re, të projektuar nga  arkitekti Davut Aga, në vitin 1598. Për ndërtimin e saj morën pjesë dhe katër arkitektë të tjerë.

Në disa dokumente, shkruhen të  dhëna të shkurtra për jetën e tij, duke filluar nga 5 rreshta, deri në 50 rreshta. Këto shkrime janë të shpërndara pa një radhitje kronologjike historike dhe shpeshherë, shkruhen të njëjtat gjëra. Me hulumtimet e mia që ende vazhdojnë po sistemohet vepra e tij. Në kohën e Perandorisë Osmane, të shekullit XVI – XVII ka pasur shumë  arkitektë dhe kryearkitekt të mirë, për të cilët nuk ka njohuri të mjaftueshme për veprën e tyre. Shkrimet apo dokumentet që kanë arritur deri më sot  janë të pakta, të ngatërruara, sidomos para 20 viteve.

Gjatë historisë së Perandorisë Osmane, humbën shumë dokumente për arkitektët, ku radhiten dhe humbjet e shkrimeve të Kasëmit të Aliut. Emri i vërtetë në shumë  dokumentet osmane është shkruar: “Kasëm Aga“ , por për shkak se ai ishte një arkitekt shumë i madh, mbas arkitekt Sinanit, atë e kanë thirrur dhe “Koxha-Arkitekt, që do të thotë : “Arkitekt i madh“.

Kasëm Again, e nderua sulltanët, ministrat dhe kryeministrat e Perandorisë Osmane. Vetë ai arriti të fitojë shoqëri të madhe dhe autoritet me sulltan Ibrahimin e Parë dhe me kryeministrin Kara Mustafa Pashën . Nëpër dokumentet enciklopedike turke, emrin e Kasëmit, e gjen të shkruar në këtë mënyrë : 1.Koca  mimar Kasëm Aga. (Koxha arkitekt Kasëm Aga .2. Kasëm Agha. 3. Koca Kasëm Aga.4.Kasëm Aga. 5.Kasëm Aga Koxha.( Kasım Ağa Koca), Reis Koxha, me kuptimin, njeri i ditur, jo vetëm në arkitekturë .

Dikush shkruan pak, dikush më shumë, dikush ka gabuar, duke e ngatërruar veprën e Kasëmit , me veprën e arkitekt Sinanit, i cili e ka pasur Kasëmin  nxënës të shkëlqyer. Mbas vdekjes së arkitekt Sinanit, më i dëgjuari arkitekt ka qenë Kasëmi shqiptari. Veprimtaria e madhe, e shkëlqyer arkitekturore e Kasëmit fillon  nga viti 1622 dhe mbaron në vitin 1651, gati 8 vjet para vdekjes së tij, nëse ka vdekur në vitin 1659 ose 9 vjet para vdekjes, nëse ka ndërruar jetë, në vitin 1660.

Pra, dhe i moshuar dhe i sëmurë ai e ka vazhduar punën. Në dokumentet osmane të kryeministrisë, në Ankara,të cilat do të paraqiten në librin kushtuar Kasëmit, ka vendime  të qarta, ku Kasëm Grëmshi, emërohet si kryearkitekt i Perandorisë. Nga studimet, Kasëmin e emërojnë 7 herë si kryearkitekt.

Kështu, gati 30 vjet arkitekt e kryearkitekt, Kasëm Aga Grëmshi punoi në Perandorinë Osmane, duke lënë një veprimtari të madhe arkitekturore, duke filluar që nga punimet arkitekturore në fshatin e tij, në  Grëmsh, në Çorovodë, (Ura e Kasabashit “ose ura e kokës ose mendjes së Kasëmit), në Berat, në Greqi, ku ka projektuar shumë ura, në Gjermani etj. Prodhimtaria më e madhe arkitekturore, është në Turqi.

Për veprat e tij përmendim midis të tjerave në fshatin e tij: xhami, imamet, hamam, han, dy çezma .Në Elbasan, në vendin e quajtur: CURE , ku është i pasaktë, sipas shkrimit ka bërë, një han, në Shpat dhe në Rabrova ka pasur  toka – prona  dhe mulli me ujë. Në Berat: Një hamam, 7 çezma, xhami,në fshatin Dushnik : prona dhe kopshte me ullinj, vakëfe, etj. Në Avlonja (Vlora ) Sanxhak në fshatin Kozarë, ka pasur 7 prona ….

Në Turqi : Konja Sherefedin Xhami, Sarajet e Topkapës: Revan Qoshku, 1636 , Bagdat Qoshku, 1639, Sepetiler Qoshku , 1643, në Yskydar: Çinli xhami, Medreseja në Shehzadebashë dhe shumë  vepra të tjera arkitekturore, të cilat po studiohen nga për një libër të veçantë.

Në këtë shkrim simboliko-historik, hodha pak rreze drite, për një figurë të madhe arkitekturore shqiptare, nga Grëmshi i Tomoricës, me përmasa botërore, me dokumente arkivore, të arkivave e  bibliotekave shkencore në Turqi dhe jo me gojëdhëna, siç janë shkruar më parë. Kam shpresë se me hulumtimet e mia në vazhdim, do të dalë më e plotë figura e këtij gjeniu të arkitekturës shqiptare, që ndodhet nëpër arkivat botërore.

Kasëm Grëmshi ose Koxha Kasëm Agai ,është një Gjeni i arkitekturës botërore.

Asqeri Diko

9 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Ndryshe