Vrasja e gazetares bullgare, arrestohet një person i dyshuar

Një person është ndaluar si i dyshuar në lidhje me vrasjen e gazetares në Bullgari, Viktoria Marinova. I dyshuari me origjinë bullgare, është ndaluar në Gjermani. Ai supozohet se është larguar nga Bullgaria më 7 tetor drejt Gjermanisë, ku jeton nëna e tij.

Trupi i 30-vjeçares Marinova, që raportonte mbi një hetim për një rast të dyshuar korrupsioni ku përfshiheshin fondet e BE-së, u gjet në qytetin kufitar Ruse, në Danub, gjatë fundjavës.

Ajo u zhduk pasi kishte dalë për të vrapuar përgjatë lumit të shtunën. Prokurori i Përgjithshëm bullgar, Sotir Tsatsarov konfirmoi arrestimin e një personi, zyra e të cilit e ka identifikuar si Severin Krasimirov, një qytetar bullgar.

Ministri i Brendshëm, Mladen Marinov tha se kishte prova fizike që e lidhnin Krasimirovin me vrasjen. Ky i fundit, banues në Ruse, ka pasur precedentë penalë për vjedhje metali e skrapi.

Ministri tha se hetuesit kanë biseduar me familjen e gazetares dhe ka shtuar se, duket se rasti nuk ka lidhje me punën e saj. Vrasja e Marinovas ka nxitur thirrje ndërkombëtare për hetim të plotë të vrasjes së saj.

10 tetor 2018 (gazeta-Shqip.com)

Source: Bota